Temperaturat e larta në Kosovë, IKShPK jep alarmin: Mos i lini fëmijët në vetura dhe kontrolloni të moshuarit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj temperaturave të larta, duke u kërkuar qytetarëve që të ndërmarrin masa për mbrojtjen e shëndetit gjatë ditëve të nxehta. Përmes një njoftimi sensibilizues, IKShPK ka apeluar që vëmendje e veçantë t’u kushtohet grupeve më të ndjeshme, veçanërisht të moshuarve,…

Lajme

02/08/2026 12:57

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj temperaturave të larta, duke u kërkuar qytetarëve që të ndërmarrin masa për mbrojtjen e shëndetit gjatë ditëve të nxehta.

Përmes një njoftimi sensibilizues, IKShPK ka apeluar që vëmendje e veçantë t’u kushtohet grupeve më të ndjeshme, veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore.

Instituti ka kërkuar nga qytetarët që të kontaktojnë së paku një herë në ditë të moshuarit që jetojnë vetëm ose që kalojnë pjesën më të madhe të kohës të izoluar, për t’u siguruar se janë në gjendje të mirë dhe se nuk kanë nevojë për ndihmë.

Një tjetër apel i rëndësishëm i IKShPK-së lidhet me fëmijët, të cilët nuk duhet të lihen asnjëherë vetëm në automjete të parkuara. Sipas institucionit, temperatura brenda një veture mund të rritet me shpejtësi dhe të krijojë kushte të rrezikshme për jetën.

Po ashtu, qytetarët janë këshilluar që të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave paralajmëruese të goditjes nga nxehtësia. Marramendja, të përzierat, konfuzioni, dobësia e madhe apo djersitja e tepërt janë simptoma që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe, në raste të tilla, duhet kërkuar ndihmë mjekësore.

IKShPK u ka bërë apel qytetarëve që gjatë ditëve me temperatura të larta të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të tregojnë kujdes të shtuar për personat më të rrezikuar nga efektet e vapës. /Lajmi.net/