Aksion në Zubin Potok, arrestohet edhe një i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar për arrestimin e edhe një personi të dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin Potokut. Sipas komunikatës së përbashkët të publikuar të shtunën, arrestimi është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorisë…

Lajme

02/08/2026 09:11

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë njoftuar për arrestimin e edhe një personi të dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin Potokut.

Sipas komunikatës së përbashkët të publikuar të shtunën, arrestimi është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale, shkruan lajmi.net.

I arrestuari, me inicialet J.R., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në komunikatë thuhet se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore të zhvilluar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.

“Arrestimi i të dyshuarit është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë.

“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka publiku do të njoftohet në kohë”, përfundon komunikata. /Lajmi.net/