Mustafa kritikon Ramën për ngushtimin e rrugës te Xhamia e Llapit: Këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj punimeve në rrugën “Ilir Konushevci”, pranë Xhamisë së Llapit, duke kritikuar udhëheqjen aktuale të kryeqytetit dhe kryetarin Përparim Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mustafa ka vënë në pikëpyetje vendimin për ngushtimin e kësaj rruge, të cilën e cilësoi si një nga arteriet kryesore…

Lajme

01/08/2026 19:43

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj punimeve në rrugën “Ilir Konushevci”, pranë Xhamisë së Llapit, duke kritikuar udhëheqjen aktuale të kryeqytetit dhe kryetarin Përparim Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mustafa ka vënë në pikëpyetje vendimin për ngushtimin e kësaj rruge, të cilën e cilësoi si një nga arteriet kryesore që lidh Prishtinën me Llapin dhe Gollakun, transmeton lajmi.net.

“Pse po ngushtohet rruga Ilir Konushevci, te Xhamia e Llapit? Njëra nga arteriet kryesore për Llap e Gollak dhe nga Llapi”, ka shkruar ai.

Mustafa rikujtoi se rruga ishte zgjeruar në 12 metra gjatë kohës kur, sipas tij, “reformatori i madh i Prishtinës, Nazmi Mustafa”, ishte kryetar i komunës.

Ai tha se banorët kanë të drejtë ta kundërshtojnë këtë projekt, duke e cilësuar vendimin si arbitrar.

“Banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe kundërshtojnë, sepse besoj që është vendim arbitrar, i cili nuk respekton interesat e banorëve, të bizneseve të vogla dhe të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Mustafa.

Në reagimin e tij, ish-kryeministri hodhi kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke aluduar në faktin se ai ka jetuar për shumë vite në Londër para se të merrte drejtimin e komunës.

“Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët. Kam banuar aty mbi 60 vjet; këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër, ndërsa me fantazitë dhe papërgjegjësinë e tyre i lënë të bllokuar banorët”, shkroi Mustafa./lajmi.net/