“Në parim ne jemi pajtuar” – LDK konfirmon gatishmërinë për bashkëpunim me LVV-në
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të bashkëpunojë me fituesen e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për një marrëveshje që do të çonte drejt formimit të institucioneve të reja. Por, vëzhguesit mbeten skeptikë se një marrëveshje e tillë do të ofronte zgjidhje, duke përmendur përçarjet brenda partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të bashkëpunojë me fituesen e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për një marrëveshje që do të çonte drejt formimit të institucioneve të reja.
Por, vëzhguesit mbeten skeptikë se një marrëveshje e tillë do të ofronte zgjidhje, duke përmendur përçarjet brenda partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 30 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.
“Në parim ne jemi pajtuar. Është konfirmuar edhe nga kuvendi që LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, thekson Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Bisedimet e LDK-së me LVV-në për një marrëveshje të mundshme u pezulluan më 15 korrik, për shkak të kërkesës së një pjese të zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas pakënaqësive për rezultatin zgjedhor.
Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkim, por dallimet dhe mospajtimet brenda LDK-së, të cilat janë shpërfaqur përmes votimit për dhe kundër tij, mbeten të qarta, vlerësojnë zyrtarë të lartë të LDK-së, por edhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Krijimi i unitetit në LDK rreth një vendimi të përbashkët të 18 deputetëve të saj lidhur me një marrëveshje eventuale me LVV-në, mbetet sfidë. Në mesin e tyre ka edhe persona që votuan për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të premten, në një konferencë për media e cilësoi lajm të mirë paralajmërimin e Abdixhikut për heqjen e pezullimit për bisedimet për krijimin e institucioneve.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.
“Pra, ato [takimet] të thirren dhe të mbahen dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje, me të cilën arrijmë, pra të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Pra është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, tha Haxhiu.
Por, një marrëveshje e mundshme ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ende nuk duket në horizont, ndonëse kanë mbetur më pak se një javë deri në seancën konstituive të Kosovës, të caktuar më 6 gusht.
Me konstituimin e Kuvendit, nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, por edhe zgjedhjen e presidentit. Për këtë të fundit, deputetët e legjislaturës së re do të kenë kohë 60 ditë nga data e konstituimit të Kuvendit që ta votojnë kreun e ri të shtetit.