Spanja e Portugalia kërcënojnë me tërheqje nga mikpritja e Botërorit 2030, nëse FIFA nuk heq dorë nga ideja e Infantinos
Spanja dhe Portugalia janë të gatshme të heqin dorë nga bashkëorganizimi i Kupës së Botës 2030 nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk tërhiqet nga plani i tij për privatizimin e të drejtave komerciale të turneut. Infantino shkaktoi reagime të ashpra në botën e futbollit pasi prezantoi projektin për krijimin e një kompanie të re,…
Sport
Spanja dhe Portugalia janë të gatshme të heqin dorë nga bashkëorganizimi i Kupës së Botës 2030 nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nuk tërhiqet nga plani i tij për privatizimin e të drejtave komerciale të turneut.
Infantino shkaktoi reagime të ashpra në botën e futbollit pasi prezantoi projektin për krijimin e një kompanie të re, FIFA Forward Enterprise (FFE), përmes së cilës synon të ftojë investitorë privatë të blejnë aksione minoritare në aktivitetet komerciale dhe organizative të FIFA-s.
Kompania e re vlerësohet të ketë një vlerë prej rreth 15 miliardë funtesh, ndërsa FIFA synon të sigurojë mbi 20 miliardë dollarë përmes investimeve private.
Grupi i investitorëve pritet të udhëhiqet nga kompania amerikane “Thrive Capital”, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të dhëndrit të Donald Trump.
Për të siguruar mbështetje, Infantino u premtoi çdo federate anëtare që do ta votonte projektin një pagesë prej 30 milionë funtesh deri më 19 shtator.
Megjithatë, plani i tij është përballur me kundërshtime të forta.
UEFA reagoi ashpër dhe paralajmëroi se 55 federatat e saj janë të gatshme ta bojkotojnë Kupën e Botës nëse projekti miratohet.
Edhe Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF), si dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC), kanë dalë kundër propozimit, duke bërë që numri i federatave që nuk e mbështesin të kalojë shifrën 100.
Goditje për Infantinon erdhi edhe nga brenda FIFA-s, pasi këshilltari i tij i lartë, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen duke e cilësuar projektin si “një marrëveshje të keqe për futbollin”.
Qëndrimi i tij konsiderohet veçanërisht domethënës, pasi tregon se edhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të FIFA-s nuk e mbështet këtë iniciativë.
Spanja, Portugalia dhe Maroku janë planifikuar të organizojnë Kupën e Botës 2030, ndërsa nga një ndeshje do të zhvillohet edhe në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai, në kuadër të 100-vjetorit të turneut.
Ndërkohë, FIFA po synon gjithashtu ta zgjerojë Botërorin e vitit 2030 në 64 kombëtare, pasi edicioni i vitit 2026 u zgjerua nga 32 në 48 skuadra.
Megjithatë, sipas raportimit të “El Español”, organizimi i Botërorit 2030 tashmë është në “rrezik serioz” për shkak të planit të Infantinos për shfrytëzimin komercial të të drejtave të turneut.
“Asnjë kombëtare e UEFA-s nuk do të marrë pjesë në asnjë kompeticion të FIFA-s për sa kohë që këto propozime mbeten në fuqi”, deklaroi presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Duke mbështetur plotësisht qëndrimin e UEFA-s, Spanja dhe Portugalia po lënë të kuptohet se janë të gatshme jo vetëm të mos marrin pjesë, por edhe të heqin dorë nga organizimi i Kupës së Botës 2030.
Situata mbetet më e paqartë për Marokun.
Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), ndryshe nga UEFA, AFC dhe CONCACAF, nuk e ka refuzuar menjëherë projektin, por ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillojë një mbledhje të brendshme për të shqyrtuar dhe vlerësuar propozimin e FIFA Forward Enterprise.
Ky qëndrim lë ende hapësirë për negociata me FIFA-n, ndërsa kundërshtimi i hapur i Spanjës dhe Portugalisë e vë edhe më shumë në pikëpyetje zhvillimin normal të Kupës së Botës 2030.