Për 6 muaj vetëm 41 “spiunime” të sinjalizuesve në APK për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se k pranuar 41 raste të sinjalizimit të jashtëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa në institucionet publike dhe subjektet private janë raportuar edhe 82 raste të sinjalizimit të brendshëm. Sinjalizimi, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, nënkupton raportimin e dyshimeve ose informatave për…
Lajme
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se k pranuar 41 raste të sinjalizimit të jashtëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa në institucionet publike dhe subjektet private janë raportuar edhe 82 raste të sinjalizimit të brendshëm.
Sinjalizimi, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, nënkupton raportimin e dyshimeve ose informatave për shkelje të ligjit, korrupsion, keqpërdorim të detyrës, mashtrim, konflikt interesi apo parregullsi të tjera që ndodhin në një institucion publik ose subjekt privat.
Sipas raportit gjashtëmujor të APK-së, për periudhën 1 janar – 30 qershor 2026, i cili u publikua te premten, nga 41 rastet e sinjalizimit të jashtëm, 40 janë trajtuar brenda afateve ligjore, ndërsa një rast ka mbetur për trajtim gjatë muajit korrik.
Nga rastet e shqyrtuara, 20 janë proceduar te institucionet kompetente, 14 janë refuzuar për shkak të mospërmbushjes së kushteve ligjore dhe gjashtë raste janë mbyllur.
Raporti tregon se 22 raste kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, tetë me procedurat e rekrutimit, katër me procedurat e prokurimit publik, ndërsa gjashtë i përkasin kategorive të tjera.
APK bën të ditur se 27 raste janë raportuar nga qytetarët, ndërsa 13 sinjalizime anonime janë paraqitur nga operatorë ekonomikë. Bahet me dije po ashtu se gjatë kësaj periudhe, gjashtë sinjalizues kanë kërkuar mbrojtje ligjore.
Sa u përket sinjalizimeve të brendshme, 150 institucione publike kanë raportuar në APK, duke evidentuar gjithsej 64 raste. Numrin më të madh të rasteve e ka pasur Korporata Energjetike e Kosovës (14), e ndjekur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (12) dhe ndërmarrja Trepça Sh.A. (10).
Raporti ka evidentuar edhe zbatimin e mekanizmave të sinjalizimit në sektorin privat. Deri më 9 shkurt 2026, APK kishte kontaktuar 683 subjekte private, prej të cilave 411 kanë caktuar zyrtarin përgjegjës për sinjalizimet, ndërsa 250 kanë raportuar për funksionimin e sistemit. Gjatë periudhës raportuese janë evidentuar 18 raste të sinjalizimit të brendshëm në subjektet private.