Kurti emëron Agron Limanin në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke pasuar në këtë detyrë Andin Hotin. Përmes një postimi, Kurti e përshkroi Limanin si një aktivist shumëvjeçar në kërkimin e drejtësisë për viktimat e luftës, me të cilin, siç tha, ka…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke pasuar në këtë detyrë Andin Hotin.
Përmes një postimi, Kurti e përshkroi Limanin si një aktivist shumëvjeçar në kërkimin e drejtësisë për viktimat e luftës, me të cilin, siç tha, ka bashkëpunuar prej më shumë se dy dekadash, transmeton lajmi.net.
Sipas Kurtit, ata kanë organizuar së bashku aksione publike për zbardhjen e krimeve të luftës, përfshirë protestën e vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut, kur u publikua lista me emrat e 56 personave të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion gjatë të cilit Limani ishte arrestuar.
Kryeministri në detyrë theksoi se Limani është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, kushtuar masakrës së Krushës së Vogël, duke shtuar se libri është përdorur si dëshmi nga institucionet e drejtësisë në rastin ku u dënua Darko Tasiq.
Kurti vuri në pah edhe historinë personale të Limanit, duke rikujtuar se ai ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa familja e tij është prekur rëndë nga lufta.
“Ai e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në Krushë të Vogël”, shkroi Kurti.
Sipas tij, angazhimi i Limanit për çështjen e personave të zhdukur ka nisur përmes drejtimit të Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”. Ai shtoi se Limani është me profesion inxhinier i elektroteknikës dhe më parë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.
Në të njëjtin postim, Kurti ritheksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimeve nga Serbia.
Ai theksoi gjithashtu se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës dhe përsëriti thirrjen ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për personat e zhdukur, duke kërkuar në veçanti hapjen e arkivave të forcave serbe, përfshirë arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave.