Dhoma e Tregtisë alarmon për publikimin e të dhënave të bizneseve, kërkon veprime urgjente nga institucionet

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim lidhur me publikimin e dokumenteve të bizneseve në faqen zyrtare të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), duke vlerësuar se qasja në dokumente që përmbajnë të dhëna personale mund të cenojë privatësinë dhe konfidencialitetin e subjekteve afariste. Në reagimin e saj, DHTIK bën…

Lajme

31/07/2026 15:34

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim lidhur me publikimin e dokumenteve të bizneseve në faqen zyrtare të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), duke vlerësuar se qasja në dokumente që përmbajnë të dhëna personale mund të cenojë privatësinë dhe konfidencialitetin e subjekteve afariste.

Në reagimin e saj, DHTIK bën të ditur se ka pranuar ankesa nga bizneset anëtare për faktin se në Regjistrin e Bizneseve kanë qenë të qasshme dokumente si statutet dhe marrëveshjet e shoqërive, të cilat përmbajnë edhe të dhëna personale të pronarëve dhe personave të autorizuar.

Sipas Dhomës së Tregtisë, publikimi i këtyre dokumenteve bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe mund të dëmtojë konfidencialitetin e marrëdhënieve kontraktuale dhe afariste të bizneseve.

Për këtë arsye, DHTIK u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të ndërhyjnë sa më shpejt për adresimin e çështjes dhe të sigurojnë llogaridhënie për përgjegjësit.

Reagimi i Dhomës së Tregtisë vjen pasi në opinion u ngritën shqetësime për qasjen në dokumente të ndryshme të bizneseve në sistemin e ARBK-së. Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku, kishte pretenduar se në platformë kanë qenë të qasshme edhe dokumente që përmbanin kopje të letërnjoftimeve dhe nënshkrime, duke kërkuar hetim institucional nëse konstatohet ekspozim i paautorizuar i të dhënave.

Ndërkohë, ARBK ka deklaruar se Regjistri i Bizneseve është regjistër publik dhe se publikimi i të dhënave bëhet në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Agjencia ka theksuar se publikohen vetëm të dhënat që ligji i përcakton si publike, por nuk ka adresuar drejtpërdrejt pretendimet për qasjen në dokumente që përmbajnë kopje të dokumenteve të identifikimit dhe nënshkrime.

Reagimi i plotë:

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin lidhur me publikimin në faqen e internetit të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të bizneseve dhe të pronarëve të tyre.

DHTIK ka pranuar ankesa nga bizneset anëtare lidhur me lejimin e qasjes së plotë në dokumentet si; statuti dhe marrëveshjet e shoqërisë, duke përfshirë këtu edhe të dhënat personale të pronarëve dhe personave të autorizuar, të cilat, që janë të ndaluara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Publikimi i këtyre dokumenteve me këto të dhëna mund të cenojë konfidencialitetin e marrëdhënieve kontraktuale dhe afariste.

Andaj, DHTIK i bën thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërmarrje të veprimeve urgjente për të adresuar këto çështje, si dhe të kërkohet përgjegjësi nga personat përgjegjës.