Ekspozimi i të dhënave të bizneseve ngjall reagime, ARBK-ja e fsheh “gabimin”
Shqetësime për sigurinë e të dhënave personale janë ngritur pas pretendimeve se në platformën e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) kanë qenë të qasshme dokumente që përmbajnë informacione sensitive të pronarëve të bizneseve, përfshirë kopje të letërnjoftimeve, nënshkrime dhe adresa. Rasti ka nxitur reagime nga ekspertë të teknologjisë dhe përfaqësues politikë. Ndër…
Lajme
Shqetësime për sigurinë e të dhënave personale janë ngritur pas pretendimeve se në platformën e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) kanë qenë të qasshme dokumente që përmbajnë informacione sensitive të pronarëve të bizneseve, përfshirë kopje të letërnjoftimeve, nënshkrime dhe adresa. Rasti ka nxitur reagime nga ekspertë të teknologjisë dhe përfaqësues politikë.
Ndër të parët që reagoi qe drejtori i teknologjisë në Digital School dhe StarLabs, Darsej Rizaj, i cili në një postim në Facebook, të enten tha se sistemi që duhet t’i fshehë automatikisht të dhënat personale ka dështuar në raste të caktuara.
“Ne ARBK i kanë qit statutet e kompanive online. Mirë shumë, veç kish me qenë edhe mirë me i mshef të gjitha informatat personale. Sistemi ku automatikisht po mshehen të dhënat po dështon në instanca të caktuara. Me fjalë tjera ka raste kur po i ekspozon të dhëna senzitive si ID, adresa e shtëpisë edhe nënshkrimet. Kjo është shumë. Ndaleni menjëherë ARBK-në derisa ta rregulloni. Kjo është shkelje serioze e privatësisë së të dhënave personale”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku. Ai ka ngritur alarmin për ekspozimin e mundshëm të të dhënave private dhe ka shprehur dyshime se faqja e ARBK-së mund të jetë objekt i grumbullimit masiv të të dhënave përmes kërkesave të automatizuara.
“Faqja e ARBK-së është duke pasur probleme serioze me ekspozimin e të dhënave tuaja. Shumë dokumente, nënshkrime dhe kopje të letërnjoftimeve të bizneseve ishin të qasshme publikisht. Po ashtu, faqja po përballet me mbingarkesë të vazhdueshme. Dyshimi im është se përmbajtja e saj po ‘scrapohet’ në mënyrë masive nga qindra kërkesa automatike, gjë që mund të jetë duke shkaktuar këtë situatë”, ka shkruar Sadiku.
Kjo, derisa ka kërkuar hetim edhe nga policia.
Në faqen e ARBK mund të shkarkoheshin edhe statutet e bizneseve, për çka dërgoi pyetje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Kjo derisa sot, ARBK e bllokoi qasjen te statutet.
E më pas përmes një postimi në Facebook, theksoi se i publikon vetëm të dhënat që legjislacioni i përcakton si publike.
“Të dhënat personale ose informacionet e tjera që nuk janë të destinuara për publikim mbrohen dhe trajtohen në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nuk bëhen pjesë e qasjes publike”, thuhet në reagimin e ARBK-së.
