KRU “Prishtina”: Rezervat e ujit mjaftojnë deri në fund të vitit 2026, kërkohet përdorim i kujdesshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se rezervat aktuale të ujit në dy akumulimet kryesore janë të mjaftueshme për të siguruar furnizimin deri në fund të vitit 2026, por vetëm nëse qytetarët vazhdojnë ta përdorin ujin me përgjegjësi dhe pa shpërdorime. Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, Liqeni i Badocit ndodhet rreth dy…

Lajme

31/07/2026 10:53

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se rezervat aktuale të ujit në dy akumulimet kryesore janë të mjaftueshme për të siguruar furnizimin deri në fund të vitit 2026, por vetëm nëse qytetarët vazhdojnë ta përdorin ujin me përgjegjësi dhe pa shpërdorime.

Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, Liqeni i Badocit ndodhet rreth dy metra nën nivelin maksimal të mbushjes, ndërsa Liqeni i Batllavës është 1.69 metra nën kuotën e tij maksimale, transmeton lajmi.net.

Nga KRU “Prishtina” është bërë e ditur se gjendja e rezervave po monitorohet vazhdimisht, ndërsa menaxhimi i kujdesshëm i tyre dhe konsumimi racional i ujit do të jenë vendimtarë për ruajtjen e furnizimit të pandërprerë gjatë muajve të ardhshëm.

“Uji është një burim i kufizuar dhe përdorimi i panevojshëm i tij, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta dhe konsum të shtuar, ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e rezervave dhe në qëndrueshmërinë e sistemit të furnizimit”, thuhet në njoftim të kompanisë.

Kompania u ka bërë apel konsumatorëve që ta përdorin ujin vetëm për nevoja të domosdoshme, të shmangin çdo formë të keqpërdorimit, të riparojnë rrjedhjet në instalimet e tyre dhe të reduktojnë shpenzimin e panevojshëm.

“Qëndrueshmëria e furnizimit me ujë është përgjegjësi e përbashkët. Furnizimi i qëndrueshëm nuk varet vetëm nga sasia e ujit në akumulime, por edhe nga mënyra se si ky ujë përdoret nga konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Në fund, KRU “Prishtina” rikujtoi se çdo litër ujë i kursyer ndihmon në ruajtjen e rezervave dhe kontribuon që furnizimi të mbetet i qëndrueshëm dhe i barabartë për të gjithë qytetarët./lajmi.net/