Tre kosovarë dyshohen se përdorën pasaporta e certifikata të falsifikuara për të shitur toka në vlerë 1 milion e 550 mijë euro
Tre persona dyshohen se kanë tentuar të realizojnë shitblerje të kundërligjshme të tokave duke përdorur dokumente të falsifikuara, me qëllim përfitimin e 1 milion e 550 mijë eurove. Sipas Policisë së Kosovës, hetimet e zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit…
Lajme
Tre persona dyshohen se kanë tentuar të realizojnë shitblerje të kundërligjshme të tokave duke përdorur dokumente të falsifikuara, me qëllim përfitimin e 1 milion e 550 mijë eurove.
Sipas Policisë së Kosovës, hetimet e zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë siguruar prova që tregojnë se tre të dyshuarit kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata, të cilat më pas dyshohet se i kanë përdorur si dokumente të vërteta.
Sipas dyshimeve, me këto dokumente ata kanë tentuar të kryejnë shitblerje të tokave në mënyrë të kundërligjshme, me synim përfitimin e shumës prej 1 milion e 550 mijë euro.
Tre të dyshuarit ngarkohen me dyshimet për veprat penale “bashkëkryerje”, “ndihmë”, “mashtrim” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Policia njoftoi se më 30 korrik 2026, të tre janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, me njësitë e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë kanë arritur të sigurojnë informata/prova, të cilat dëshmojnë se tre persona të dyshuar meshkuj kosovarë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, si pasaporta, letërnjoftime, çertifikata etj., me ç’rast dyshohet se i kanë përdorur si dokumente të vërteta.
Të dyshuarit me dokumentet e falsifikuara kanë tentuar që në mënyrë të kundërligjshme të bëjnë shitblerje të tokave, me qëllim që të përfitojnë shumën prej 1 milion e 500 e 50 mijë euro, ku me këtë rast dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘bashkëkryerja’, ‘ndihma’, ‘mashtrimi’ dhe ‘falsifikimi i dokumenteve’.
Tre të dyshuarit me 30 korrik 2026, janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërsa njëri prej tyre me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt./lajmi.net/