Imri Ahmeti: Delegatët vendosin për të ardhmen e LDK-së, procesi duhet të jetë demokratik
Kryetari i Degës së LDK-së në Lipjan, Imri Ahmeti, ka theksuar se vendimi për drejtimin e ardhshëm të partisë i takon ekskluzivisht delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm, duke kërkuar që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike. Para fillimit të Kuvendit, Ahmeti u deklarua për media, ku tha se LDK-ja ka punuar që vendimmarrja…
Lajme
Kryetari i Degës së LDK-së në Lipjan, Imri Ahmeti, ka theksuar se vendimi për drejtimin e ardhshëm të partisë i takon ekskluzivisht delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm, duke kërkuar që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike.
Para fillimit të Kuvendit, Ahmeti u deklarua për media, ku tha se LDK-ja ka punuar që vendimmarrja të jetë transparente dhe në përputhje me parimet demokratike, transmeton lajmi.net.
“Është një proces demokratik. Është në dorën e delegatëve për të vendosur për të ardhmen e partisë dhe për të ardhmen e vendit. Ne do të angazhohemi, siç jemi angazhuar deri tash, që procesi të jetë demokratik”, tha Ahmeti.
I pyetur nëse mbështet shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, Ahmeti nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke kujtuar se qëndrimin e tij e ka bërë publik më herët dhe se nuk dëshiron të ndikojë në procesin e votimit të delegatëve.
“Është çështje e deklarimit tim të mëhershëm. Nuk dua ta intimidoj procesin e votimit. Opinioni publik e di që kam reflektuar qysh në Kuvendin e janarit. Kam votuar për dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë dhe kam ofruar dorëheqjen edhe si kryetar i degës. Ta shohim sot nëse Kuvendi do ta fuqizojë idenë tonë për të reflektuar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve apo do të mendojë se duhet të vazhdohet. Është çështje e vendimmarrjes së delegatëve”, u shpreh ai.
Sa i përket pretendimeve për presione ndaj delegatëve, Ahmeti refuzoi të japë komente.
“Nuk do të bëj komente të tilla. Faleminderit”, deklaroi ai./lajmi.net/