Raportimet e qytetarëve çojnë në gjoba, Policia e Prizrenit vazhdon ndëshkimin e kundërvajtësve në trafik

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj jave ka vazhduar me intensitet aktivitetet për identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve në trafik në rajonin e Prizrenit, duke u bazuar edhe në raportimet e qytetarëve përmes aplikacionit “Lajmëro Policin” dhe kanaleve të tjera të komunikimit. Sipas njoftimit, stacionet policore të Drejtorisë Rajonale në Prizren trajtojnë me…

Lajme

30/07/2026 16:14

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj jave ka vazhduar me intensitet aktivitetet për identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve në trafik në rajonin e Prizrenit, duke u bazuar edhe në raportimet e qytetarëve përmes aplikacionit “Lajmëro Policin” dhe kanaleve të tjera të komunikimit.

Sipas njoftimit, stacionet policore të Drejtorisë Rajonale në Prizren trajtojnë me seriozitet çdo raportim të pranuar. Pas verifikimit të provave të dërguara nga qytetarët, si fotografi apo video, dhe konstatimit të shkeljes, kundërvajtësit kontaktohen nga policia dhe ndaj tyre shqiptohen gjobat përkatëse, shkruan lajmi.net.

Policia bën të ditur se pjesa më e madhe e rasteve të raportuara kanë të bëjnë me parkime të parregullta, të cilat pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe automjeteve.

Në këtë kuadër, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, veçanërisht ato që lidhen me parkimin, duke shmangur ndalimin e automjeteve në vende të palejuara.

Njëkohësisht, Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në raportimin e shkeljeve, duke theksuar se angazhimi i përbashkët ndihmon në rritjen e sigurisë në komunikacion dhe respektimin e ligjit. /Lajmi.net/