Gjykata e Hagës cakton afatet e fundit për rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, deklaratat përmbyllëse pritet të përfundojnë më 14 shtator

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur përmes një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare se synon që deri më 14 shtator të përfundojë procesin e deklaratave përmbyllëse në rastin e dytë ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të akuzuarit e tjerë përballen me proces gjyqësor. Sipas dokumentit të publikuar nga Gjykata, deklarimet…

Lajme

30/07/2026 13:37

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur përmes një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare se synon që deri më 14 shtator të përfundojë procesin e deklaratave përmbyllëse në rastin e dytë ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të akuzuarit e tjerë përballen me proces gjyqësor.

Sipas dokumentit të publikuar nga Gjykata, deklarimet përmbyllëse të palëve janë planifikuar të zhvillohen në tri data: më 10, 11 dhe 14 shtator, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, realizimi i këtij kalendari do të varet nga ecuria e procedurave të ardhshme, veçanërisht nga dëshmia e Bashkim Smakajt, e cila është planifikuar të mbahet më 17, 18 dhe 19 gusht.

Në këtë rast gjyqësor përfshihen ish-presidenti Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Hajredin Kuçi, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Gjykata ka bërë të ditur se pas përfundimit të fazës së dëshmive dhe procedurave të mbetura, palët do të kenë mundësinë të paraqesin qëndrimet e tyre përfundimtare para trupit gjykues, duke përmbledhur argumentet e tyre për rastin.

Procesi pritet të hyjë kështu në një nga fazat e fundit, atë të deklarimeve përmbyllëse, pas së cilës trupi gjykues do të vazhdojë me shqyrtimin e çështjes dhe marrjen e vendimit përfundimtar. /Lajmi.net/