Punonjësit e “Ibër-Lepencit” dhe Policia në zonën e Ujmanit, rrethohet moteli “Jezero” dhe nis aksioni për lirimin e pronës së pretenduar si të uzurpuar

Punonjësit e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar sot në mëngjes një aksion në zonën e Ujmanit, ku është rrethuar me shirit sigurie moteli “Jezero”, objekt për të cilin ndërmarrja pretendon se ndodhet në pronë të uzurpuar. Rasti është konfirmuar për lajmi.net nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin…

Lajme

30/07/2026 10:26

Punonjësit e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar sot në mëngjes një aksion në zonën e Ujmanit, ku është rrethuar me shirit sigurie moteli “Jezero”, objekt për të cilin ndërmarrja pretendon se ndodhet në pronë të uzurpuar.

Rasti është konfirmuar për lajmi.net nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se zyrtarët policorë janë në terren për të asistuar institucionet përgjegjëse gjatë realizimit të këtij aksioni.

“Policia e Kosovës është duke ofruar asistencë për ndërmarrjen publike ‘Ibër-Lepenci’, si dhe për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në kuadër të procedurave që po zhvillohen në këtë lokacion”, thuhet në konfirmimin e tij.

Aksioni vjen pasi ka skaduar afati që “Ibër-Lepenci” u kishte lënë shfrytëzuesve të motelit “Jezero” për lirimin e objektit. Sipas ndërmarrjes, prona është duke u shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar, ndërsa institucionet kanë nisur veprimet për rikthimin e saj nën administrimin e ligjshëm.

Në vendngjarje janë parë punonjës të “Ibër-Lepencit”, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët po sigurojnë mbarëvajtjen e aksionit. Objekti është rrethuar me shirit sigurie, ndërsa hyrja në të është kufizuar gjatë zhvillimit të procedurave.

“Ibër-Lepenci” kishte njoftuar edhe më herët se kishte kërkuar nga shfrytëzuesit lirimin vullnetar të objektit, duke theksuar se bëhet fjalë për pronë publike që, sipas pretendimeve të ndërmarrjes, është uzurpuar dhe shfrytëzuar pa bazë ligjore.

Ndërkohë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse gjatë aksionit ka pasur incidente apo persona që kanë kundërshtuar zbatimin e vendimit. Aksioni është duke vazhduar, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve në terren. /Lajmi.net/