Djali i kirurgut të zhdukur Adem Ademi reagon pas gjetjes së mbetjeve mortore në Zubin Potok: Po afrohemi drejt zbardhjes së së vërtetës
Erblin Ademi, djali i kirurgut të zhdukur Adem Ademi, ka reaguar për herë të parë publikisht pas zhvillimeve të fundit në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Përmes një postimi në Facebook, ai tha se për 27 vite kishte zgjedhur…
Lajme
Erblin Ademi, djali i kirurgut të zhdukur Adem Ademi, ka reaguar për herë të parë publikisht pas zhvillimeve të fundit në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se për 27 vite kishte zgjedhur të mos fliste publikisht për rastin e babait të tij dhe grupit të intelektualëve të zhdukur, por se zhvillimet e fundit e kanë shtyrë ta thyejë heshtjen, transmeton lajmi.net.
“Sot është një ditë me ndjenja të përziera për mua dhe familjen tonë. Nga njëra anë ndjejmë dhimbje të madhe, sepse pas 27 vitesh po përballemi sërish me realitetin e hidhur se babai ynë, së bashku me 22 persona të tjerë, u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Edhe pse me kalimin e viteve e kemi ditur se shpresat për ta gjetur gjallë ishin pothuajse të pamundura, njeriu gjithmonë mban në zemër një grimë shprese derisa të mësohet e vërteta”, shkroi ai.
Ademi kujtoi figurën e babait të tij, duke theksuar se ai ishte një kirurg i njohur dhe i respektuar, i cili ia kishte kushtuar jetën shpëtimit të njerëzve. Sipas tij, gjatë luftës ai kishte ndihmuar edhe në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai shkroi se familja ka jetuar për gati tri dekada me pritje, ankth dhe pa përgjigje për fatin e më të dashurit të tyre.
“Që nga paslufta kemi pasur informacione se ky grup ishte vrarë në atë zonë. Pas arrestimit të personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në këtë krim dhe fillimit të gërmimeve, duket se më në fund po afrohemi drejt zbardhjes së së vërtetës. Megjithatë, presim që të respektohen të gjitha procedurat institucionale dhe të mjekësisë ligjore, duke u bërë identifikimi zyrtar i mbetjeve mortore me profesionalizëm dhe dinjitet”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Ademi e cilësoi rastin si një masakër dhe krim të rëndë, duke theksuar se familjet e viktimave kanë përjetuar për vite me radhë një dhunë të vazhdueshme psikologjike, pasi nuk kanë ditur se ku prehen më të dashurit e tyre.
Ai shtoi se ndonëse ndjejnë një lloj lehtësimi për shkak se mund të marrin përgjigje për fatin e babait të tij, dhimbja mbetet e përhershme.
“Po aq e rëndësishme sa zbardhja e së vërtetës është edhe vendosja e drejtësisë. Ne jemi këmbëngulës që të gjithë autorët e këtij krimi, të gjithë ata që urdhëruan, morën pjesë, fshehën këtë masakër apo mbrojtën përgjegjësit, si dhe të gjithë kriminelët dhe gjakatarët e njerëzve të pafajshëm, të përballen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë mund të themi se është hedhur një hap i plotë drejt drejtësisë, sepse pa drejtësi nuk ka paqe të vërtetë”, shkroi ai.
Në fund të postimit, Erblin Ademi tha se flet jo vetëm në emër të familjes së tij, por edhe në emër të të gjitha familjeve që ende kërkojnë më të dashurit e tyre të zhdukur.
“Babai im nuk do të kujtohet vetëm për mënyrën se si u nda nga jeta, por mbi të gjitha për mënyrën se si jetoi. Ai ishte një njeri që shpëtonte jetë, një mjek i përkushtuar dhe një baba i dashur. Kjo është trashëgimia që na ka lënë dhe arsyeja pse do ta kujtojmë gjithmonë me krenari”, përfundoi ai.
Postimi i plotë:
Për 27 vite kam zgjedhur të mos flas publikisht për rastin e babait tim dhe të grupit prej 23 personave të zhdukur, të njohur si grupi i intelektualëve. Zhvillimet dhe lajmet e fundit më kanë shtyrë ta thyej këtë heshtje.
Sot është një ditë me ndjenja të përziera për mua dhe familjen tonë. Nga njëra anë ndjejmë dhimbje të madhe, sepse pas 27 vitesh po përballemi sërish me realitetin e hidhur se babai ynë, së bashku me 22 persona të tjerë, u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Edhe pse me kalimin e viteve e kemi ditur se shpresat për ta gjetur gjallë ishin pothuajse të pamundura, njeriu gjithmonë mban në zemër një grimë shprese derisa të mësohet e vërteta.
Babai im ishte kirurg, një mjek i njohur dhe shumë i respektuar, i cili ia kushtoi jetën shpëtimit të njerëzve. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm në mjekësi, gjatë luftës ai ndihmoi në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qëndruar pranë atyre që kishin më shumë nevojë. Humbja e tij ishte një plagë jo vetëm për familjen tonë, por edhe për shoqërinë.
Gjatë gjithë kësaj kohe kemi jetuar me pritje, ankth dhe pyetje pa përgjigje. Kemi pritur që e vërteta të zbardhej dhe të mësonim se ku ishin fshehur trupat e tyre. Të jetosh për gati tri dekada pa e ditur ku prehet njeriu yt më i dashur është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë.
Që nga paslufta kemi pasur informacione se ky grup ishte vrarë në atë zonë. Pas arrestimit të personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në këtë krim dhe fillimit të gërmimeve, duket se më në fund po afrohemi drejt zbardhjes së së vërtetës. Megjithatë, presim që të respektohen të gjitha procedurat institucionale dhe të mjekësisë ligjore, duke u bërë identifikimi zyrtar i mbetjeve mortore me profesionalizëm dhe dinjitet.
Kjo ishte një masakër dhe një krim i rëndë. Përveç vrasjes së 23 njerëzve të pafajshëm, familjet e tyre kanë përjetuar gjatë gjithë këtyre viteve një dhunë të vazhdueshme psikologjike, duke jetuar pa përgjigje dhe pa një vend ku të vendosin një lule për më të dashurit e tyre.
Sot ndjejmë një lloj lehtësimi, jo sepse dhimbja ka kaluar, por sepse më në fund mund t’i japim fund pasigurisë. Të dish ku pushon njeriu yt dhe ta nderosh me dinjitet është një e drejtë themelore njerëzore që neve na është mohuar për gati tri dekada.
Megjithatë, ky është vetëm fundi i një kapitulli. Pasiguria mund të marrë fund, por dhimbja mbetet përgjithmonë. Po aq e rëndësishme sa zbardhja e së vërtetës është edhe vendosja e drejtësisë. Ne jemi këmbëngulës që të gjithë autorët e këtij krimi, të gjithë ata që urdhëruan, morën pjesë, fshehën këtë masakër apo mbrojtën përgjegjësit, si dhe të gjithë kriminelët dhe gjakatarët e njerëzve të pafajshëm, të përballen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë mund të themi se është hedhur një hap i plotë drejt drejtësisë, sepse pa drejtësi nuk ka paqe të vërtetë.
Sot nuk flas vetëm në emër të familjes sime, por edhe në emër të të gjitha familjeve që prej 27 vitesh kanë jetuar me të njëjtën dhimbje. Shpresoj që kjo të jetë një shpresë edhe për familjet e tjera që ende kërkojnë më të dashurit e tyre, që edhe ato një ditë ta mësojnë të vërtetën dhe t’u japin nderimin që meritojnë.
Babai im nuk do të kujtohet vetëm për mënyrën se si u nda nga jeta, por mbi të gjitha për mënyrën se si jetoi. Ai ishte një njeri që shpëtonte jetë, një mjek i përkushtuar dhe një baba i dashur. Kjo është trashëgimia që na ka lënë dhe arsyeja pse do ta kujtojmë gjithmonë me krenari./lajmi.net/