Urgjenca në Bogë punonë vetëm gjatë fundjavës, Komuna e Pejës jep sqarime

Qendra shëndetësore në Bogë të Rugovës po funksionon vetëm gjatë ditëve të fundjavës, ndonëse fluksi i turistëve në këtë zonë vazhdon të jetë i lartë edhe gjatë ditëve të tjera të javës, sidomos në këto ditë me vapë. Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Pejës ka bërë të ditur se ky vendim është marrë pas…

Lajme

29/07/2026 16:52

Qendra shëndetësore në Bogë të Rugovës po funksionon vetëm gjatë ditëve të fundjavës, ndonëse fluksi i turistëve në këtë zonë vazhdon të jetë i lartë edhe gjatë ditëve të tjera të javës, sidomos në këto ditë me vapë.

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Pejës ka bërë të ditur se ky vendim është marrë pas një rishikimi kolegjial të kryer nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, duke u bazuar në resurset që ka në dispozicion.

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, për KosovaPress ka mohuar se bëhet fjalë për mbylljen e qendrës shëndetësore në Bogë.

Ai tha se gjatë ditëve të javës do të mbulohet nga urgjenca kryesore.

“Nuk është e mbyllur, nuk bëhet fjalë për mbyllje të qendrës shëndetësore në Bogë, por është një rishikim kolegjial që ka bërë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe në bazë të resurseve të cilat i ka në dispozicion, është vendosur që aktualisht të funksionoj si qendër në ditët e vikendit. Ndërsa ditëve të tjera do të mbulohet nga urgjenca kryesore me shërbime urgjente kryesore”, tha Loci.

Ai bëri të ditur se, për shkak të shtimit të numrit të pacientëve pas ardhjes së bashkatdhetarëve, është hapur edhe ndërrimi i natës në Qendrën e Mjekësisë Familjare 5 në Fidanishte, e cila do të punoj nga ora 19:00-24:00.

“Gjatë këtyre ditëve, për shkak të rritjes së fluksit të madh të pacientëve me ardhjen e bashkatdhetarëve, kemi hapur edhe ndërrimin e natës nga ora 19:00 deri në 24:00 në Qendrën e Mjekësisë Familjare 5 në Fidanishte për t’i dalë në ndihmë QKMF-së për ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjatë orëve të natës.. Prej orës 8:00 deri në 17:00, pjesën tjetër të orarit mbulohen nga urgjenca qendrore. 194 është numri për çfarëdo rasti urgjent dhe në çdo cep të territorit të Pejës mbulohet”, tha Loci.

Qendra shëndetësore në Bogë gjatë vikendit do të punojë nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 17:00 pasdite.