AVONET kërkon hetim për diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga subjekti “AFTËSIMI” në Prizren

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka kërkuar inicimin e hetimeve lidhur me diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale “AFTËSIMI” në Prizren, pas dyshimeve mbi bazën ligjore të lëshimit të tyre. Në një komunikatë për media, AVONET njofton se gjatë hulumtimeve të zhvilluara në kuadër të monitorimit të aktiviteteve të…

Lajme

29/07/2026 14:39

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka kërkuar inicimin e hetimeve lidhur me diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale “AFTËSIMI” në Prizren, pas dyshimeve mbi bazën ligjore të lëshimit të tyre.

Në një komunikatë për media, AVONET njofton se gjatë hulumtimeve të zhvilluara në kuadër të monitorimit të aktiviteteve të prokurimit publik ka identifikuar përdorimin e diplomave dhe certifikatave të këtij subjekti në procedura zyrtare.

Për të verifikuar statusin juridik të institucionit, AVONET i është drejtuar Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), nga i cili ka pranuar përgjigje zyrtare se subjekti “AFTËSIMI” në Prizren nuk ka qenë dhe nuk është i akredituar nga AKK.

Sipas përgjigjes së AKK-së, nuk është lëshuar asnjë vendim për akreditim, autorizim apo njohje institucionale për këtë subjekt, ndërsa autoriteti nuk posedon evidencë zyrtare për kualifikimet, programet apo certifikatat e lëshuara prej tij.

AVONET thekson se këto gjetje krijojnë dyshime të arsyeshme lidhur me vlefshmërinë ligjore të diplomave dhe certifikatave, si dhe përdorimin e tyre në procedurat e prokurimit publik.

Sipas organizatës, gjatë hulumtimit është konstatuar se dokumente të tilla kanë qenë pjesë e dosjes së tenderit të një operatori ekonomik të shpallur fitues, duke u përdorur si dëshmi për përmbushjen e kritereve të kualifikimit profesional.

Bazuar në këto fakte dhe në përgjigjen zyrtare të AKK-së, AVONET ka bërë të ditur se do t’u drejtohet organeve kompetente të zbatimit të ligjit për inicimin e hetimeve, për shkak të dyshimeve se rasti mund të përmbajë elemente të veprave penale, përfshirë mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve, nëse këto dyshime vërtetohen gjatë procedurës hetimore.

Organizata i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale ligjore.

AVONET ka theksuar se do të vazhdojë monitorimin e kësaj çështjeje dhe do t’u vërë në dispozicion institucioneve kompetente të gjithë dokumentacionin dhe informacionet e mbledhura gjatë hulumtimit. /Lajmi.net/