Rrëzimi i vinçit në “Rrugën A” shkaktoi dëme të mëdha edhe në një shtëpi pranë vendit të ngjarjes
Përveç bilancit tragjik me një viktimë dhe një të lënduar, rrëzimi i vinçit në një punishte ndërtimi në “Rrugën A” në Prishtinë ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në objektet përreth. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se njëra prej shtëpive në afërsi është dëmtuar rëndë nga rrëzimi i vinçit, ku janë dëmtuar pjesë…
Lajme
Përveç bilancit tragjik me një viktimë dhe një të lënduar, rrëzimi i vinçit në një punishte ndërtimi në “Rrugën A” në Prishtinë ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në objektet përreth.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se njëra prej shtëpive në afërsi është dëmtuar rëndë nga rrëzimi i vinçit, ku janë dëmtuar pjesë të kulmit dhe strukturës së objektit, shkruan lajmi.net.
Ngjarja e rëndë ndodhi të martën, kur një vinç u rrëzua në një kantier ndërtimi në “Rrugën A”. Si pasojë, një punëtor humbi jetën, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.
Rastin e kishte konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, kishte deklaruar Pllana.
Autoritetet janë duke hetuar shkaqet e aksidentit, ndërsa dëmet e shkaktuara në objektet përreth pritet të vlerësohen nga institucionet kompetente. /Lajmi.net/