Premtimi i Kurtit për 400 inspektorë e kushte më të mira në punë “harrohet”, numri i aksidenteve me fatalitet në punë mbetet alarmant
Një i ri i moshës 26 vjeçare ka humbur jetën dje në Prishtinë, derisa po punonte në një kantier ndërtimi ku u rrëzua vinçi. Si pasojë e këtij aksidenti, është lënduar edhe një punëtor tjetër i moshës 18 vjeçare që ka pësuar lëndime të rënda. 26 vjeçari është njëri nga 12 jetët e humbura në…
Lajme
Një i ri i moshës 26 vjeçare ka humbur jetën dje në Prishtinë, derisa po punonte në një kantier ndërtimi ku u rrëzua vinçi. Si pasojë e këtij aksidenti, është lënduar edhe një punëtor tjetër i moshës 18 vjeçare që ka pësuar lëndime të rënda.
26 vjeçari është njëri nga 12 jetët e humbura në vendin e punës gjatë këtij viti.
Aksidenti ndodhi në rrugën “Holger Petersen”, afër rrugës “A”, në Prishtinë, në një punishte ku po zhvilloheshin punimet në fazën e themeleve. Rënia e vinçit rezultoi fatale për punëtorin e ri, ndërsa rasti po hetohet për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë.
Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, aksidenti ndodhi gjatë montimit të vinçit në një kantier ku punimet ishin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore njoftoi se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe një ekspert i inxhinierisë mekanike. Gjithashtu, janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.
Gjatë hetimeve janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe punëtori i lënduar, i cili po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokuroria ka bërë të ditur se janë iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Bazuar në dyshimet fillestare dhe provat e siguruara deri në këtë fazë të procedurës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre persona. Njëri prej tyre, me inicialet A.Sh., dyshohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa B.S., si person përgjegjës i kompanisë ndërtuese, dhe E.E., si përfaqësues i kompanisë investuese të projektit, dyshohen për veprën penale që lidhet me rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes problemin e sigurisë në punë në Kosovë, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, ku ndër vite janë regjistruar dhjetëra aksidente me pasoja fatale. Sipas të dhënave të bëra publike nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSPK), gjatë vitit 2025 kanë humbur jetën 32 punëtorë në vendin e punës.
Sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar të dhënave për aksidentet në vendin e punës, nga viti 2020 deri në vitin 2025 në Kosovë kanë humbur jetën gjithsej 119 punëtorë.
Sipas këtyre statistikave, në vitin 2020 u regjistruan 15 viktima, në vitin 2021 ishin 14, në vitin 2022 u regjistruan 24 raste fatale, në vitin 2023 humbën jetën 22 punëtorë, në vitin 2024 u raportuan 12 viktima, ndërsa viti 2025 shënoi numrin më të lartë, me 32 punëtorë të vdekur.
Rasti i fundit në Prishtinë e shton edhe më tej bilancin tragjik të aksidenteve në vendin e punës dhe ngre sërish shqetësime për zbatimin e masave të sigurisë, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë, ku përdorimi i makinerive të rënda dhe puna në kushte të rrezikshme kërkojnë standarde të larta të mbrojtjes së punëtorëve.
Pavarësisht premtimeve të shumta që partia në pushtet dhe akterë të saj japin në vazhdimësi për sigurinë dhe mbrojtjen e punëtorëve, aksidentet me fatalitet në punë janë të shumta dhe alarmante.
Në vitin 2020, Albin Kurti kishte premtuar se do të jenë Qeveri për mbrojtjen e punëtorit, për punëtorët me shumë të drejta dhe mbrojtje ligjore të garantuar.
“Do të jemi Qeveri për mbrojtjen e punëtorit, për punëtorët më shumë të drejta dhe mbrojtje ligjore të garantuar. Programi “8 orë punë” do të promovojmë punën 8 orë në ditë – 40 orë në javë për punëtorët. Për ta arritur këtë synim do ta shtojmë numrin e inspektorëve të punës deri në 400”, ka thënë Kurti, më datë 3 shkurt, 2020.
Por, ky premtim i tij nuk po reflektohet. Situata në vendet e punës, saktësisht tek ato me rrezikshmëri të lartë si kantierët e ndërtimit është alarmante. Në vazhdimësi në media publikohen fotografi e video ku punëtorët punojnë pa masa sigurie në kate të larta të ndërtesave duke rrezikuar jetën e tyre.
Inspektorati Qendror i Punës ditëve të fundit ka kontrolluar dhjetëra punishte në disa komuna të Kosovës e disa prej tyre edhe i kanë mbyllur, por që përsëri gjendja në sektorin e ndërtimtarisë në vend është e rëndë. /Lajmi.net/