Elza Ujkani, nga goditja në Prishtinë te implanti i kafkës në Munih
Një pjesë e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëri që u shemb në një ditë me erëra të forta ia ndryshoi jetën Elza Ujkanit. Më 18 janar 2024, derisa po shkonte në punë, ajo u godit në kokë nga pjesët e kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, një ngjarje që…
Lajme
Një pjesë e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëri që u shemb në një ditë me erëra të forta ia ndryshoi jetën Elza Ujkanit. Më 18 janar 2024, derisa po shkonte në punë, ajo u godit në kokë nga pjesët e kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, një ngjarje që do ta dërgonte atë në një betejë të gjatë me pasojat.

Ajo ishte transportuar me urgjencë në spital dhe iu kishte nënshtruar një operacioni që i shpëtoi jetën. Më vonë, si pasojë e komplikimeve dhe një infeksioni, mjekët u detyruan të kryenin një ndërhyrje të dytë, gjatë së cilës u hoq një pjesë e kafkës, duke lënë një defekt kranial që kërkonte rikonstruksion.
Pasi gjendja e saj u stabilizua, Elza vendosi të vazhdonte trajtimin në Gjermani. Përgatitjet për ndërhyrjen u zhvilluan në distancë, ku ajo realizoi një tomografi të detajuar të kafkës në Kosovë dhe ia dërgoi imazhet ekipit të Spitalit Universitar “Rechts der Isar” në Munih, shkruan Airomedical, e cila ka organizuar trajtimin e Elzës në këtë spital.

Bazuar në këto imazhe, specialistët projektuan dhe prodhuan një implant të personalizuar me teknologji CAD, i cili u përgatit posaçërisht sipas anatomisë së kafkës së pacientes. Procesi i prodhimit zgjati rreth tri javë.
Pasi implanti ishte gati, Elza udhëtoi drejt Munihut, ku iu nënshtrua me sukses operacionit të kranioplastikës. Ndërhyrja u krye nga neurokirurgu Prof. Dr. Bernhard Meyer, me qëllim rikthimin e mbrojtjes së trurit dhe restaurimin e formës së kafkës pas muajsh rehabilitimi.
Pas operacionit, ajo u rikthye edhe një herë në Gjermani për kontroll pasues, ku mjekët vlerësuan ecurinë e shërimit, pozicionimin e implantit dhe gjendjen e përgjithshme shëndetësore, për t’u siguruar që shërimi i saj ishte në rrugën e duhur.
