Shkruhen grafite në Prishtinë, reagim ndaj vdekjes së punëtorit në vendpunishte
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist shkroi sonte grafite në Prishtinë si reagim ndaj vdekjes së një punëtori në vendpunishte në kryeqytet. Në reagim thuhet se me pikëllim e revoltë e pamë sot tek shpaloset edhe një episod fatal i kapitalizmit të egër e vrastar që nxori edhe një kufomë prej punishteve të ndërtimit dhe…
Lajme
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist shkroi sonte grafite në Prishtinë si reagim ndaj vdekjes së një punëtori në vendpunishte në kryeqytet.
Në reagim thuhet se me pikëllim e revoltë e pamë sot tek shpaloset edhe një episod fatal i kapitalizmit të egër e vrastar që nxori edhe një kufomë prej punishteve të ndërtimit dhe la të tjerë të plagosur.
“Mafia e ndërtimit tash e sa kohë po ngrehë godina mbi gjakun e punëtorëve, ndërsa shteti i bëhet hisedar në trashje të pushtetit dhe shtypje kriminale të klasës punëtore. Në një shtet që më së paku i takon punëtorëve, për kapitalistët mafiozë kurbani i fitimit janë njerëzit që flijohen për t’i ushqyer apetitet për fitim e grumbullim. Të keqpaguar, të keqtrajtuar e të detyruar të punojnë edhe në mot përvëlues, punëtorët e ndërtimit punojnë në teh të ekzistencës. Krejt kjo teksa institucionet shtetërore herë shiten e herë bëhen indiferente ndaj krejt klasës punëtore”, thuhet në reagimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist .
Më tej theksohet se sot ne e jetojmë realitetin tonë si punëtore/ë nëpërmjet shtypjeve të shumëfishta që na vijnë prej partneritetit kapitalisto-shtetëror, njoftohemi për tragjeditë përreth nesh teksa pushteti punon vazhdimisht të na hutojë nga mjerimi kolektiv ku na kanë katandisur duke shpallur armiq prej letre, duke shtuar se kushtet materiale që po qesin shumë prej nesh në marrëdhënie pune çnjerëzore e kufij ekzistence janë emëruesit e përbashkët të gjendjes tonë kolektive.
“Andaj, sonte ritheksojmë se ne duhet ta mobilizojmë veten për ta marrë në dorë fatin tonë dhe t’i kundërvihemi çdo pushteti që na sundon nëpërmjet shpërfilljes e zullumit, duke vrarë disa prej nesh dhe duke lënë të rraskapitur e të shtypur pjesën tjetër. Organizimi ynë duhet të jetë organizim që mbron jetën dhe dinjitetin nga klasa kapitaliste”, thuhet në reagimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.


