Brestovci pas aksidentit me vinç në Prishtinë: Siguria teknike e pajisjeve nuk është kompetencë e Inspektoratit të Kryeqytetit
Drejtori i Inspektoratit në kryeqytet, Bekim Brestovci ka reaguar në lidhje me rastin e fundit që ka ndodhur në Prishtinë, ku një i ri ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar pasi është rrëzuar vinçi. Ai fillimisht i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës ndërsa punëtorit të lënduar i ka uruar shërim të shpejtë.…
Lajme
Drejtori i Inspektoratit në kryeqytet, Bekim Brestovci ka reaguar në lidhje me rastin e fundit që ka ndodhur në Prishtinë, ku një i ri ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar pasi është rrëzuar vinçi.
Ai fillimisht i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës ndërsa punëtorit të lënduar i ka uruar shërim të shpejtë.
“Sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, verifikimi i sigurisë teknike të vinçit (kranit), kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjes, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës. Kjo nënkupton se Inspektorati Qendror i Punës është institucioni përgjegjës për të verifikuar, ndër të tjera, nëse vinçi i është nënshtruar kontrolleve teknike të nevojshme, nëse posedon dokumentacionin përkatës, nëse operatori ka autorizimet e nevojshme, si dhe nëse punëdhënësi ka zbatuar të gjitha standardet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë”, ka shkruar Brestovci.
Ai ka thënë se Inspektorati i Kryeqytetit, përkatësisht Inspektorati i Ndërtimit, ushtron kompetencat e tij në zbatim të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe legjislacionin përkatës, si dhe duke ndërmarrë masat administrative të parashikuara me ligj kur plotësohen kushtet ligjore.
“Me qëllim të informimit të saktë të qytetarëve, theksojmë se kompetencat për kontrollin teknik, certifikimin dhe verifikimin e sigurisë së vinçit si pajisje pune i takojnë institucioneve shtetërore përgjegjëse për mbikëqyrjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, ndërsa Inspektorati i Kryeqytetit ushtron kompetencat e tij në përputhje me Ligjin për Ndërtim. Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka shkruar Brestovci. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: