Pacolli pas vdekjes së punëtorit në Prishtinë: Përgjegjësia bie mbi Komunën dhe Inspektoratin e Ndërtimit – Të japin llogari menjëherë

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka reaguar pasi një punëtor ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar sot pasi është rrëzuar një vinç sot te rruga “A” në Prishtinë. Ajo i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.…

Lajme

28/07/2026 18:15

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka reaguar pasi një punëtor ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar sot pasi është rrëzuar një vinç sot te rruga “A” në Prishtinë.

Ajo i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.

​”Ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë, dhe është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë. Në cilësinë e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoj se përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës. Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka thënë se Ministria po verifikon me seriozitet çdo lëshim dhe do të kërkojë që çdo shkelës të jep llogari para ligjit.

“​Po ashtu, kërkoj drejtpërdrejt nga Odat profesionale që rregullojnë profesionet përkatëse të vlerësojnë urgjentisht situatën nëse ka pasur mungesë profesionalizmi dhe të marrin masa disiplinore, deri në revokimin e plotë të licencave për profesionistët përgjegjës. Siguria e qytetarëve, pronës dhe standardeve të ndërtimit është e panegociueshme. Nuk do të ketë kompromis me askënd”, ka shkruar Pacolli. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: