Reagon familja e Rron Gjinovcit: Informacionet për lidhje me Arkanin lidhen ekskluzivisht me anën e dajëve të tij

Familja e aktivistit Rron Gjinovci, ka reaguar ndaj deklarimeve në media se kjo familje kanë pasur afërsi me kriminelin famëkeq Arkan. I afërmi i tij, Adnan Gjinovci ka thënë se babai i Rron Gjinovcit, është djali i axhës së tij, por se nuk ndajnë qëndrimet e njejta politike me Rronin dhe dëshirojnë të distancohen qartë…

Lajme

28/07/2026 18:09

Familja e aktivistit Rron Gjinovci, ka reaguar ndaj deklarimeve në media se kjo familje kanë pasur afërsi me kriminelin famëkeq Arkan.

I afërmi i tij, Adnan Gjinovci ka thënë se babai i Rron Gjinovcit, është djali i axhës së tij, por se nuk ndajnë qëndrimet e njejta politike me Rronin dhe dëshirojnë të distancohen qartë nga aktiviteti i tij politik.

Ai ka thënë se ajo që i shtynë të reagojnë është mbrojtja e së vërtetës dhe e dinjitetit të emrit të tyre familjar.

“Familja Gjinovci, me prejardhje nga Makermalli i Drenicës, ka një histori të pastër patriotike. Gjyshi im ka qenë sekretar i shtabit të heroit kombëtar Shaban Polluzha dhe bashkëluftëtar i tij. Familja jonë nuk ka pasur kurrë kurrfarë miqësie apo afërsie me kriminelin Arkan – përkundrazi, e kemi pasur dhe e kemi armik, e në luftë kemi qenë përballë tij e kundërshtarë të çdo force okupuese”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se me kë lidhen informacionet për lidhje me Arkanin.

“Sa u përket aludimeve apo informacioneve për lidhje me Arkanin, ato lidhen ekskluzivisht me anën e dajëve të Rronit dhe nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me trungun, historinë apo emrin e familjes Gjinovci. Kërkojmë nga mediat dhe opinioni publik që të mos e përbaltin emrin e familjes sonë për llogari të përplasjeve politike të ditës. Historia e familjes Gjinovci është e shkruar me mund e sakrificë për këtë vend dhe do të mbetet gjithmonë e tillë”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: