Nga QKUK japin detaje për tragjedinë në rrugën A: Njëri nga të lënduarit nuk u mbijetoi plagëve

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në rrugën “A” në Prishtinë, ku është rrëzuar një vinç. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente. “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se…

Lajme

28/07/2026 17:47

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në rrugën “A” në Prishtinë, ku është rrëzuar një vinç.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë mbetur të lënduar, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht njësitet relevante në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë filluar hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit”, deklaruan nga Policia.

Ndërkohë, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për Lajmi.net se nga aksidenti janë dërguar në Qendrën Emergjente dy persona të lënduar rëndë.

“Dy të lënduar janë sjellë nga ndihma e shpejtë në Qendrën Emergjente. Njëri i lindur në vitin 2000, ndërsa tjetri në vitin 2008. Të dy kishin politrauma të rënda. Pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra të reanimimit (RCP) për rreth dy orë, për fat të keq njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë. Personi tjetër ndodhet në Qendrën Emergjente me lëndime të rënda, por në gjendje stabile dhe do të vazhdojë trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Torakale”, deklaroi Syla./Lajmi.net/