Haradinaj pas takimit me Admiralin e NATO-s: Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës e përmbyll sigurinë e rajonit
Deputeti i zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në Deçan ka pritur Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli. Përmes një postimi, Haradinaj tha se pritja u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e…
Lajme
Deputeti i zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se në Deçan ka pritur Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.
Përmes një postimi, Haradinaj tha se pritja u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Kosovën, transmeton lajmi.net.
“Shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin personal të Admiral Wikoff dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe forcat e NATO-s japin në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë”, shkroi Haradinaj.
Ai theksoi se liria e Kosovës u arrit së bashku me aleatët perëndimorë, duke vënë në pah rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve anëtare të NATO-s.
“Liria jonë është vlera kulmore që e arritëm së bashku me aleatët tanë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e NATO-s. Lidhja jonë me ta mbetet e përhershme, ashtu si edhe aspirata jonë që të jemi pjesë e kësaj aleance”, u shpreh ai.
Në fund, Haradinaj përsëriti qëndrimin e tij se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm edhe për stabilitetin e rajonit.
“Anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO e përmbyll sigurinë e rajonit”, përfundoi Haradinaj.