Kryeprokurori Gashi shpalos prioritetet e para të mandatit, fokus korrupsioni, krimi i organizuar dhe siguria e qytetarëve

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka mbajtur takimin e parë të kolegjiumit me kryeprokurorët e prokurorive të vendit, ku ka prezantuar prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit të tij. Sipas një komunikate të Prokurorit të Shtetit, në takim morën pjesë edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe përfaqësues të…

Lajme

28/07/2026 15:22

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka mbajtur takimin e parë të kolegjiumit me kryeprokurorët e prokurorive të vendit, ku ka prezantuar prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit të tij.

Sipas një komunikate të Prokurorit të Shtetit, në takim morën pjesë edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe Programit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Gashi theksoi se fokusi i punës në muajt e parë do të jetë zhvillimi i hetimeve financiare paralelisht me hetimet penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe veprave të tjera të rënda.

Ai po ashtu renditi si prioritete rritjen e sigurisë së qytetarëve, luftimin e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, mbrojtjen e pronës, trajtimin e rasteve të dhunës në familje, mbrojtjen e integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale, si dhe ndjekjen më rigoroze të personave që rrezikojnë sigurinë në trafik.

Në kuadër të reformave të brendshme, Kryeprokurori paralajmëroi krijimin e mekanizmave të rinj për mbikëqyrjen e cilësisë së aktakuzave dhe vendimeve të prokurorëve, si dhe një mekanizëm institucional për mbrojtjen e prokurorëve nga sulmet e padrejta gjatë ushtrimit të detyrës.

Gashi u ka kërkuar kryeprokurorëve që brenda një afati të arsyeshëm t’i dorëzojnë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit planet fillestare për zbatimin e këtyre prioriteteve, në përputhje me kompetencat e secilës prokurori.

Gjatë takimit, kryeprokurorët raportuan edhe për gjendjen në prokuroritë që drejtojnë, duke përfshirë lëndët e vjetra, efikasitetin në trajtimin e rasteve, çështjet me interes të lartë publik, sfidat institucionale dhe zbatimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).

Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit garantoi mbështetje institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha prokuroritë në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit. /Lajmi.net/