Agim Ademi priti Enver Nuredinin, një nga themeluesit e Federatës së Futbollit të Kosovës
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në selinë e federatës Enver Nuredinin, anëtar të Kryesisë së parë të FFK-së, i cili jeton dhe vepron në Angli. Gjatë takimit, Ademi dhe Nuredini diskutuan për sfidat e periudhës së themelimit të futbollit të pavarur të Kosovës, si dhe për përkushtimin e brezit…
Sport
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në selinë e federatës Enver Nuredinin, anëtar të Kryesisë së parë të FFK-së, i cili jeton dhe vepron në Angli.
Gjatë takimit, Ademi dhe Nuredini diskutuan për sfidat e periudhës së themelimit të futbollit të pavarur të Kosovës, si dhe për përkushtimin e brezit që hodhi themelet e Federatës së Futbollit të Kosovës, raporton lajmi.net
Sipas Ademit, biseda u përqendrua edhe në rrugëtimin e FFK-së ndër vite dhe zhvillimin që ka përjetuar futbolli kosovar deri në ditët e sotme. Ai vlerësoi kontributin e brezit të parë të drejtuesve, duke theksuar se puna dhe vizioni i tyre kanë krijuar bazat e sukseseve që po arrin futbolli i Kosovës.
Nga ana tjetër, Enver Nuredini përgëzoi kryetarin e FFK-së për punën e deritashme, progresin e federatës dhe rezultatet e arritura nga futbolli i Kosovës në vitet e fundit. Ai shprehu kënaqësinë për zhvillimin dhe avancimin e Federatës, si në nivel vendor ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në futbollin kosovar, Agim Ademi i dhuroi Nuredinit një fanellë të veçantë të FFK-së si kujtim nga vizita.
Ademi falënderoi Enver Nuredinin dhe bashkëkohësit e tij për kontributin e dhënë në ndërtimin e futbollit të Kosovës, duke theksuar se dyert e Federatës së Futbollit të Kosovës do të jenë gjithmonë të hapura për ata që kanë shkruar historinë e saj./Lajmi.net/