Paralajmërim nga Brukseli për Podgoricën, ndalet fushata për çnjohjen e Kosovës ose rrezikohen marrëdhëniet me BE-në

Austriaku, Johan Sattler, që e përfaqëson Bashkimin Evropian në Malin e Zi, ua ka “mbledhur betë” përfaqësuesve të shumicës parlamentare në Podgoricë, se unioni do ta ndërpresë çdo marrëdhënie me shtetin, nëse vazhdon fushata e çnjohjes së Kosovës nga kuvendet komunale. Është pikërisht, nismëtari i kësaj fushate anti-kosovare, kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP), serbi…

Lajme

28/07/2026 13:36

Austriaku, Johan Sattler, që e përfaqëson Bashkimin Evropian në Malin e Zi, ua ka “mbledhur betë” përfaqësuesve të shumicës parlamentare në Podgoricë, se unioni do ta ndërpresë çdo marrëdhënie me shtetin, nëse vazhdon fushata e çnjohjes së Kosovës nga kuvendet komunale.

Është pikërisht, nismëtari i kësaj fushate anti-kosovare, kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP), serbi Milan Knezheviq, ai që e bëri të ditur këtë kërcënim të njeriut të Brukselit, të cilit ia dha atributet e sundimtarit të Malit të Zi.

“Dhe Guvernatori i Malit të Zi, presidenti i të gjithë presidentëve, dielli që nuk perëndon kurrë dhe hëna që na mbikëqyr përjetësisht, Shkëlqesia e Tij Johan Sattler, pas çnjohjes së të ashtuquajturit shtet të Kosovës në Asamblenë Komunale të Plevljes, mblodhi shumicën parlamentare dhe i kërcënoi se nuk do të ishte më partneri i tyre nëse do të ndodhte një çnjohje tjetër”, tha Knezheviq në një video-paraqitje të tij, në rrjetet sociale, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, është vetëm DNP-ja ajo që nuk e dëgjon Sattlerin dhe nuk shkon tek ai për udhëzime, për çka, sipas tij, do të ndiheshin keq heronjtë e ndjerë malazezë.

“Fatkeqësisht, duket se të gjithë janë zotuar se nuk do të ketë më çnjohje dhe i janë betuar Satlerit pranë Ribnicës. Fatkeqësisht, të gjithë përveç Partisë Demokratike Popullore. Dhe nëse rastësisht Serdar Janko Vukotiq, Marko Milanov, Mbreti Nikola do ta dëgjonin këtë, se si një burokrat i BE-së po i urdhëron të gjithë Malit të Zi se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë, ata ndoshta do të rrokulliseshin në varret e tyre ose do të ngriheshin nga varret e tyre dhe do të vinin para të gjithëve ne, për të na pyetur: ‘Kush jeni ju? I kujt jeni? Për kë derdhëm gjak dhe për kë luftuam gjatë gjithë këtyre dekadave? Për Satlerin apo për ju?’, tha ai.