IKD vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve në Gjakovë për ndryshimet në Kodin Penal

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot po vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktiviteti po zhvillohet në Gjakovë. Ekipi i IKD-së gjendet përballë Hotel Pashtriku, në Gjakovë, deri në ora 15:00. “Qytetarë të shumtë tashmë e kanë mbështetur nismën…

Lajme

28/07/2026 12:43

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot po vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktiviteti po zhvillohet në Gjakovë.

Ekipi i IKD-së gjendet përballë Hotel Pashtriku, në Gjakovë, deri në ora 15:00.

“Qytetarë të shumtë tashmë e kanë mbështetur nismën me nënshkrimin e tyre, ndërsa nismën e mbështeti edhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, duke e nënshkruar atë”, njofton IKD.

Nisma legjislative propozon: sanksionimin penal të moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; dhe sanksionimin penal të përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Për procedimin e nismës në Kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve. IKD ka paralajmëruar se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Ndryshe, më 23 dhe 27 korrik, IKD zhvilloi aktivitetin në qendër të Prishtinës.