Zbulohen bunkerë të fshehtë në një veturë, Dogana sekuestron 2 mijë e 550 fishekë në Prishtinë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit 9 mm gjatë një operacioni kundër kontrabandës në regjionin e Prishtinës. Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët nga Sektori Antikontrabandë kanë ndaluar një automjet të dyshimtë në segmentin e autostradës Trudë–Prishtinë, i cili më pas i është nënshtruar kontrollit doganor. Gjatë…
Lajme
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit 9 mm gjatë një operacioni kundër kontrabandës në regjionin e Prishtinës.
Sipas njoftimit të Doganës, zyrtarët nga Sektori Antikontrabandë kanë ndaluar një automjet të dyshimtë në segmentin e autostradës Trudë–Prishtinë, i cili më pas i është nënshtruar kontrollit doganor.
Gjatë kontrollit fillestar janë ngritur dyshime për ekzistimin e hapësirave të modifikuara në automjet. Pas një kontrolli më të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar bunkerë, përkatësisht hapësira të fshehura të ndërtuara pas fabrikimit, ku ishin fshehur 2 mijë e 550 copë fishekë të kalibrit 9 mm.
Dogana ka bërë të ditur se pas përfundimit të kontrollit janë ndërmarrë veprimet procedurale, ndërsa rasti së bashku me automjetin, municionin dhe personin e dyshuar i është dorëzuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit për të garantuar sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës. /Lajmi.net/