Deficiti tregtar i Kosovës thellohet, importet vazhdojnë të lënë në hije eksportet
Ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me një hendek të madh mes importeve dhe eksporteve. Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se gjatë qershorit 2026 deficiti tregtar është rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas ASK-së, diferenca mes mallrave të importuara dhe atyre të eksportuara arriti në 578.3 milionë euro, që paraqet një rritje prej 16.1 për qind…
Lajme
Ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me një hendek të madh mes importeve dhe eksporteve. Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se gjatë qershorit 2026 deficiti tregtar është rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, diferenca mes mallrave të importuara dhe atyre të eksportuara arriti në 578.3 milionë euro, që paraqet një rritje prej 16.1 për qind në raport me qershorin e vitit 2025, kur deficiti ishte 498.3 milionë euro, transmeton lajmi.net.
Gjatë muajit qershor, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 102 milionë eurosh, ndërsa importoi produkte me vlerë 680.3 milionë euro. Edhe pse eksportet shënuan një rritje vjetore prej 26.9 për qind, ritmi i lartë i importeve, të cilat u rritën me 17.6 për qind, vazhdon ta mbajë bilancin tregtar thellësisht negativ. Në praktikë, eksportet mbuluan vetëm 15 për qind të importeve.
Në mesin e produkteve që Kosova eksporton më së shumti vazhdojnë të dominojnë metalet bazë dhe produktet e tyre, të cilat përbëjnë 27.4 për qind të eksporteve totale. Pas tyre renditen ushqimet e përpunuara, pijet dhe duhani, plastika dhe produktet e gomës, artikujt e ndryshëm të prodhuar, si dhe produktet minerale.
Sa u përket mallrave që hyjnë në vend, pjesën më të madhe e zënë produktet minerale, të ndjekura nga makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike, mjetet e transportit, ushqimet e përpunuara dhe metalet bazë.
Vendet e Bashkimit Evropian mbeten partneri kryesor tregtar i Kosovës. Gjatë qershorit, në tregun evropian u eksportuan mallra në vlerë 32.5 milionë euro, ose gati një e treta e eksporteve totale, me një rritje prej 17.7 për qind. Gjermania vazhdon të kryesojë si destinacioni më i madh i eksporteve kosovare, ndërsa pas saj renditen Holanda dhe Italia.
Nga ana tjetër, importet nga Bashkimi Evropian arritën në 304.9 milionë euro, duke përfaqësuar 44.8 për qind të importeve të përgjithshme. Gjermania, Italia dhe Polonia mbeten furnizuesit më të mëdhenj të tregut kosovar nga BE-ja.
Edhe tregtia me vendet e CEFTA-s shënoi rritje. Eksportet në këto shtete arritën në 44 milionë euro, ose 43.1 për qind të totalit të eksporteve. Partnerët kryesorë ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.
Në të njëjtën kohë, importet nga vendet e CEFTA-s u rritën në 98.7 milionë euro, duke përbërë 14.5 për qind të importeve totale. Peshën kryesore e kanë importet nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia.
Jashtë tregut evropian dhe CEFTA-s, Zvicra mbetet destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovës, ndërsa Kina vazhdon të jetë burimi më i madh i importeve, e ndjekur nga Turqia.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se, pavarësisht rritjes së eksporteve, ekonomia e Kosovës vazhdon të mbështetet fuqishëm në mallrat e importuara, duke bërë që deficiti tregtar të vazhdojë të zgjerohet./lajmi.net/