Haxhiu takon admiralin e NATO-s: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet synim strategjik
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me KFOR-in, si dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me NATO-n.
“Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve tona me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo e falënderoi Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për kontributin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
Në fund, ushtruesja e detyrës së presidentes theksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit.
“Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik. Kosova do të vazhdojë ta forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit”, ka shkruar ajo. /Lajmi.net/