Dogana e Kosovës ndal tentativën për kontrabandë në Vërmicë, sekuestrohen mallra të padeklaruara me vlerë rreth 8 mijë euro

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një tentativë për kontrabandim të mallrave të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Dogana bëri të ditur se një zyrtar doganor kishte përzgjedhur për kontroll të detajuar një automjet me…

Lajme

28/07/2026 09:43

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një tentativë për kontrabandim të mallrave të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Dogana bëri të ditur se një zyrtar doganor kishte përzgjedhur për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja, ku gjatë kontrollit fizik të bagazhit u zbuluan mallra që nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.

Sipas vlerësimit paraprak të Sektorit të Vlerësimit Doganor, vlera e mallit të padeklaruar arrin në rreth 8 mijë euro.

Dogana theksoi se falë vigjilencës dhe profesionalizmit të zyrtarëve të saj u parandalua futja e paligjshme e mallrave në territorin doganor të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla cenojnë konkurrencën e ndershme, dëmtojnë ekonominë vendore dhe shmangin detyrimet fiskale të përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Meqenëse shtetasi i huaj nuk e kishte deklaruar mallin në hyrje të territorit doganor të Kosovës, ndaj tij është iniciuar procedurë kundërvajtëse në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave.

Dogana e Kosovës rikujtoi se çdo mall që hyn ose del nga territori doganor i Republikës së Kosovës duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore, duke theksuar se do të vazhdojë zbatimin e legjislacionit me masa të vendosura kundër kontrabandës dhe çdo forme të shmangies së detyrimeve doganore. /Lajmi.net/