Koci: Kërkojmë përgjigje për vdekjen e tre personave në autostradën Shkup-Bllacë, familjet ende pa sqarime
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se është angazhuar për të përfaqësuar familjarët e tre viktimave që humbën jetën në një aksident në një segment të autostradës Shkup–Bllacë, i cili zyrtarisht ishte i mbyllur për qarkullim. Përmes një postimi në Facebook, Koci ka ngritur disa pyetje lidhur me rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë për…
Lajme
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se është angazhuar për të përfaqësuar familjarët e tre viktimave që humbën jetën në një aksident në një segment të autostradës Shkup–Bllacë, i cili zyrtarisht ishte i mbyllur për qarkullim.
Përmes një postimi në Facebook, Koci ka ngritur disa pyetje lidhur me rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë për sigurinë e këtij segmenti rrugor.
Ai ka bërë të ditur se, së bashku me familjarët e viktimave, ka vizituar Policinë e Maqedonisë së Veriut, por sipas tij nuk ka marrë përgjigje për disa çështje që i konsideron thelbësore.
“Cila ndërmarrje e ka ndërtuar këtë segment? Kush e ka mbikëqyrur ndërtimin dhe kush ka qenë përgjegjës për sigurimin e tij? Pse hyrja në segmentin që zyrtarisht ishte i mbyllur për qarkullim nuk ka qenë e bllokuar fizikisht?”, ka shkruar Koci.
Ai ka ngritur pyetje edhe për faktin se pas aksidentit hyrja në këtë segment është mbyllur fizikisht me zhavorr dhe janë vendosur shenja të komunikacionit, duke kërkuar sqarime nëse këto masa duhej të ishin ndërmarrë më herët.
Koci ka theksuar se deri më tani nuk ka informacion nëse është ndaluar ndonjë person lidhur me rastin.
Në reagimin e tij, avokati ka përmendur edhe shpenzimet që, sipas tij, familjarët janë detyruar t’i mbulojnë për bartjen e trupave të pajetë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
“Familjarët janë detyruar të paguajnë 2,800 euro për bartjen e kufomave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë. Së paku këtë shpenzim është dashur ta marrë përsipër shteti”, ka shkruar Koci. /Lajmi.net/