Haradinaj pas takimit me ministrin francez: Kërkuam mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KiE, BE dhe NATO

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se, së bashku me deputetët e Aleancës, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Deleguar për Çështje Evropiane të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën evropiane të vendit. Përmes një postimi, Haradinaj…

Lajme

27/07/2026 18:27

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se, së bashku me deputetët e Aleancës, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Deleguar për Çështje Evropiane të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën evropiane të vendit.

Përmes një postimi, Haradinaj tha se gjatë takimit kanë shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke kërkuar që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në proceset kyçe integruese.

“Shprehëm mirënjohjen ndaj z. Haddad dhe shtetit Francës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe kërkuam që kjo mbështetje të vazhdojë, veçanërisht në kandidaturën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka shkruar Haradinaj.

Ai bëri të ditur se para ministrit francez, bashkë me kolegët e AAK-së, kanë prezantuar edhe ofertën e tyre për krijimin e institucioneve, duke theksuar se gjashtë pikat e Aleancës janë, sipas tij, thelbësore për zhvillimin e vendit.

“Para ministrit, bashkë me kolegët e Aleancës, shpalosëm ofertën tonë për krijimin e institucioneve, duke theksuar se gjashtë pikat tona janë thelbësore për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit”, u shpreh ai.

Në fund, Haradinaj vlerësoi rolin e Francës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

“Franca ka qenë dhe mbetet një ndër miqtë më të rëndësishëm të Kosovës, me një rol të çmuar në të gjitha etapat e rrugëtimit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Për këtë, i jemi mirënjohës përherë”, ka përfunduar Haradinaj. /Lajmi.net/