Drejtori i Bujqësisë në Rahovec: Dëmet nga vërshimet i kalojnë 400 mijë euro, Qeveria të ndihmojë fermerët

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, ka deklaruar se reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe infrastrukturë, duke bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë me mbështetje për fermerët. Sipas Thaqit, dëmet më të mëdha janë regjistruar në sektorin…

Lajme

27/07/2026 18:12

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, ka deklaruar se reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe infrastrukturë, duke bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë me mbështetje për fermerët.

Sipas Thaqit, dëmet më të mëdha janë regjistruar në sektorin e bujqësisë, veçanërisht te kulturat e specit, pjeprit dhe shalqirit.

“Dëmet janë të konsiderueshme, sidomos në sektorin e bujqësisë. Kemi dëme në kulturat e specave, pjeprit dhe shalqirit”, tha ai.

Ai bëri të ditur se vetëm erërat e forta të 27 korrikut kanë shkaktuar dëme që arrijnë në rreth 100 mijë euro.

“Fatkeqësisht, dëme kemi pasur më 27 korrik. Erërat e forta kanë shkaktuar dëme deri në 100 mijë euro”, u shpreh Thaqi.

Ndërkaq, ai rikujtoi se edhe vërshimet e 5, 6 dhe 7 janarit kishin lënë pasoja të mëdha financiare.

“Më 5, 6 dhe 7 janar ka pasur vërshime të mëdha. Sipas komisionit vlerësues, dëmet arrijnë deri në 167 mijë euro”, deklaroi ai.

Thaqi tha se edhe reshjet e mëngjesit të së hënës kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën rrugore, ndërsa vërshimet kanë shkaktuar humbje të reja për fermerët.

“Edhe infrastruktura rrugore ka dëme të konsiderueshme. Edhe mëngjesi i sotëm ka prishur infrastrukturën rrugore mbi 50 mijë euro, ndërsa vërshimet kanë shkaktuar dëme te fermerët mbi 100 mijë euro”, tha drejtori i Bujqësisë.

Ai theksoi se institucionet komunale mund të bëjnë vetëm evidentimin e dëmeve, ndërsa kompensimi i tyre është përgjegjësi e nivelit qendror.

“Ne si institucione komunale nuk mundemi të bëjmë asgjë, përveç evidentimit të tyre. Kjo i përket Qeverisë. Qeveria duhet të mendojë seriozisht dhe t’i ndihmojë fermerët dhe bujqit”, u shpreh Thaqi.

Sa i përket dëmtimeve në rrugë, ai tha se shkaku kryesor ishte sasia e jashtëzakonshme e reshjeve dhe jo cilësia e punimeve.

“Sot ka rënë aq shumë shi, sa nuk ka mundur ta përballojë toka. Nuk besoj se është keqpërdorim i punimeve apo se nuk janë bërë në mënyrë efikase, por ka rënë një sasi shumë e madhe shiu”, përfundoi ai./dukagjini