Bajrami: LDK-ja duhet të ndryshojë që të ringritet, jo të hyjë në zgjedhje duke menduar partnerin pas humbjes

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshim të thellë brenda partisë në prag të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, duke e cilësuar këtë proces si një nga vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e subjektit. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka theksuar se Kuvendi nuk duhet të shihet si një përballje mes individëve apo si ndarje në baza të qëndrimeve politike, por si një moment vendimtar për të ardhmen e LDK-së.…

Lajme

27/07/2026 17:37

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndryshim të thellë brenda partisë në prag të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, duke e cilësuar këtë proces si një nga vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e subjektit.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka theksuar se Kuvendi nuk duhet të shihet si një përballje mes individëve apo si ndarje në baza të qëndrimeve politike, por si një moment vendimtar për të ardhmen e LDK-së.

“Kuvendi nuk duhet të shihet si përballje mes njerëzve, por si një vendim për të ardhmen tonë të përbashkët. Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së nuk do të vendoset se kush është me kryetarin aktual dhe kush kundër tij, as kush është me LVV-në e kush me PDK-në. Kuvendi do të tregojë se kush është me LDK-në”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka rikujtuar se që nga viti 2021, LDK-ja ka marrë pjesë në tri palë zgjedhje dhe në të gjitha ka përfunduar si forca e tretë politike, ndërsa, sipas saj, nuk ka arritur të shënojë fitore as në nivelin lokal.

“Kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana. Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave”, është shprehur ajo.

Bajrami ka rikujtuar gjithashtu se pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit 2025 kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë dhe, në të njëjtën kohë, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares, duke e cilësuar përgjegjësinë politike si standard demokratik.

Sipas saj, LDK-së i duhet një mënyrë e re udhëheqjeje, që bashkon e nuk përjashton, që dëgjon mendimin ndryshe dhe respekton meritën e kontributin e secilit.

“LDK-ja nuk duhet të jetë rezervë për askënd. LDK-ja nuk duhet të jetë shtojcë as e LVV-së, as e PDK-së, as e AAK-së dhe as e ndonjë grupimi tjetër politik. LDK-ja nuk duhet të hyjë në zgjedhje duke menduar se partner i kujt do të bëhet pas humbjes. LDK-ja duhet të hyjë në zgjedhje për të fituar”, ka theksuar Bajrami.

Ajo ka shtuar se Kosovës i duhet një LDK që luftën kundër korrupsionit e ka bindje dhe praktikë, që angazhohet për drejtësi të pavarur, ekonomi të tregut, zhvillimin e sektorit privat dhe një orientim të qartë euroatlantik.

Në fund të reagimit të saj, Bajrami ka bërë thirrje për unitet dhe ndryshim brenda partisë, duke theksuar se Kuvendi duhet të jetë një mundësi për një fillim të ri.

“LDK-ja duhet të ndryshojë, që të ringritet. Duhet të bashkohet, që të fitojë. Dhe duhet të fitojë, që t’i shërbejë Kosovës”, ka përfunduar ajo. /Lajmi.net/