Dallaveret për ndërtimin e lapidarit për viktimat në Samadraxhë, edhe një aktakuzë ndaj ish-drejtorit në Suharekë Beqir Berisha

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 1 të KPRK-së, dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer…

Lajme

27/07/2026 11:50

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par. 1 të KPRK-së, dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415 par. 2 lidhur me par. 1 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri Beqir Berisha, drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Suharekës, prej datës 23 shtator 2019 deri më 20 dhjetor 2021 në cilësinë e menaxherit të kontratës në projektin “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që t’i mundësojë përfitim operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K.

Sipas aktakuzës, ai, në kuadër të kontratës në vlerë të përgjithshme prej 28,650.00 euro, për realizimin e projektit të lartcekur, ka nënshkruar pagesën në vlerë prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, duke konstatuar se punimet ishin realizuar sipas paramasës dhe parallogarisë, ndonëse në terren ato nuk ishin kryer në përputhje me kontratën dhe nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për kolaudim apo për ndryshim të punimeve. Me këto veprime, Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material në shumën prej 5,000 euro, dëm i cili është vërtetuar edhe me ekspertizën e ndërtimtarisë, transmeton lajmi.net.

“Ndërkaq, i pandehuri A.M., në cilësinë e personit përgjegjës të operatorit ekonomik “A.G.” Sh.P.K., me dashje, nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata e prokurimit publik për realizimin e projektit “Ndërtimi i lapidarit për viktimat e viteve (1912-1945)” në fshatin Samadraxhë, ai ka pranuar pagesën në shumën prej 5,000 euro sipas situacionit të katërt të kontratës, ndonëse punimet e parapara nuk ishin realizuar sipas kontratës dhe specifikimeve teknike, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar Komunës së Suharekës dëm material.”, thuhet në njoftimin e prokurorirsë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Ndryshe më 2024 Prokuroria në Prizren pat ngriture dhe një aktakuzë tjetër ndaj të lartcekurit, nën dyshimin se kurdisi një tender për një kompani private.

Bashkë me Berishën, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës, Prokuroria e Prizrenit e akuzon edhe B.K, zyrtarin e Komunës së Suharekës.

Të dy dyshohet për korrupsion në tenderin “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në vlerë rreth 7 mijë euro.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Berisha në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Kabashi në cilësinë e mbikëqyrësit, kanë bërë veprime që kanë dëmtuar Komunën e Suharekës dhe i kanë mundësuar përfitime materiale operatorit ekonomik që ka fituar tenderin.

Ata dyshohen se “i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt”, ashtu që pa miratimin e kryetarit Bali Muharremaj, i kanë ndryshuar paramasat dhe parallogaritë gjatë ekzekutimit të punimeve.

“[…] ashtu që në poligonet sportive në fshatin Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profil metalik të plasitifikuar ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara, në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë ashtu që në vend të shtrimit të fushës sportive me beton, bëjnë shtrimin e fushës sportive me bar natyror”, thuhet në aktakuzë./Lajmi.net/