Haxhiu: Kosova është e gatshme ta mbështesë Francën me ndihmë në shuarjen e zjarreve dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova është e gatshme ta mbështesë Francën, brenda kapaciteteve të saj shtetërore, me ndihmë në shuarjen e zjarreve dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit. “Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin francez dhe me të gjithë ata që po punojnë për të mbrojtur…
Lajme
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova është e gatshme ta mbështesë Francën, brenda kapaciteteve të saj shtetërore, me ndihmë në shuarjen e zjarreve dhe në operacionet e kërkim-shpëtimit.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin francez dhe me të gjithë ata që po punojnë për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe komunitetet e prekura nga zjarret”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Zjarret masive në jugperëndim të Francës vijojnë të jenë jashtë kontrollit, ndërsa dhjetëra mijëra persona janë evakuuar pranë qytetit të Bordeaux.
Zjarri ndodhet rreth 15 kilometra nga periferitë e Bordeaux dhe autoritetet po monitorojnë me shqetësim përhapjen e tij, e ndihmuar nga bimësia e thatë dhe erërat e forta.
Në operacionet e shuarjes janë angazhuar mijëra zjarrfikës, ushtarakë dhe forca sigurie. Kapiteni i zjarrfikësve Nicolas Braz e përshkroi situatën si një zjarr “të çrregullt dhe të pakontrollueshëm”, që po krijon edhe vorbulla ere.
Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez deklaroi se situata mbetet “shumë e pafavorshme”, ndërsa presidenti Emmanuel Macron premtoi mbështetje për zonat e prekura.
Ndërkohë, edhe Spanja vijon të përballet me zjarre të mëdha, ku më shumë se 90 mijë persona janë evakuuar nga zonat pranë Madridit dhe Avilës.