Gërxhaliu: E ardhmja e Kosovës nuk ndërtohet me përplasje politike, por me ekonomi

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka bërë thirrje që fokusi i Kosovës të zhvendoset nga përplasjet politike drejt zhvillimit ekonomik, duke theksuar se e ardhmja e vendit varet nga një ekonomi e fortë dhe institucione funksionale. Përmes një reagimi publik, Gërxhaliu ka vlerësuar se Republika e Kosovës duhet të largohet nga politika e ditës…

Lajme

26/07/2026 14:40

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka bërë thirrje që fokusi i Kosovës të zhvendoset nga përplasjet politike drejt zhvillimit ekonomik, duke theksuar se e ardhmja e vendit varet nga një ekonomi e fortë dhe institucione funksionale.

Përmes një reagimi publik, Gërxhaliu ka vlerësuar se Republika e Kosovës duhet të largohet nga politika e ditës dhe t’i japë prioritet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas tij, debati publik nuk duhet të kufizohet vetëm te çështja se kush ka të drejtë në politikë apo kush fiton përplasjet politike, por duhet të përqendrohet te ndërtimi i shtetit dhe e ardhmja e brezave të rinj.

“Pyetja më e madhe është se çfarë vendi po duam të ndërtojmë dhe çfarë të ardhme po duam t’ua lëmë fëmijëve tanë”, ka shkruar Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se Kosova nuk vuan nga mungesa e potencialit, duke përmendur diasporën, rininë, fuqinë punëtore, lidhjet me Evropën, burimet energjetike dhe vullnetin për të ecur përpara.

Megjithatë, sipas tij, këto potenciale nuk mjaftojnë nëse nuk shndërrohen në zhvillim konkret ekonomik, vende të reja pune, investime dhe institucione që funksionojnë në shërbim të qytetarëve.

“Potenciali nuk mjafton nëse nuk shndërrohet në organizim, zhvillim ekonomik, vende pune, investime dhe institucione që funksionojnë”, është shprehur ai.

Në fund, Gërxhaliu ka theksuar se një shtet mund të ketë mundësi të shumta zhvillimi, por nëse energjia e tij harxhohet vazhdimisht në konflikte politike, ato mundësi mbeten të pashfrytëzuara dhe vetëm në nivel deklarativ. /Lajmi.net/