Haradinaj nderon Enver Zymberin dhe Afrim Bunjakun: Emrat e tyre mbeten simbol i mbrojtjes së Kosovës

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot heroin Enver Zymberi, në përvjetorin e rënies së tij, duke vlerësuar lart sakrificën e tij dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe sigurinë e Kosovës. Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se figura e Enver Zymberit, i cili shërbeu në…

Lajme

26/07/2026 13:03

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot heroin Enver Zymberi, në përvjetorin e rënies së tij, duke vlerësuar lart sakrificën e tij dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe sigurinë e Kosovës.

Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se figura e Enver Zymberit, i cili shërbeu në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas në Policinë e Kosovës, përfaqëson guximin dhe përkushtimin për mbrojtjen e vendit.

“Jeta dhe përkushtimi i Enver Zymberit, së bashku me Afrim Bunjakun dhe të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun, janë dëshmi se mbrojtja e Republikës së Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, guximin dhe besimin e palëkundur në shtetin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se uniforma e policit që mbajti Enver Zymberi dhe shembulli i tij mbeten simbol i përkushtimit ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Uniforma e policit që mbajti Enver Zymberi, sakrifica dhe shembulli i tij, ashtu si edhe i të gjithë heronjve të Kosovës në luftë e në paqe, mbeten themeli mbi të cilin qëndron shteti”, ka deklaruar Haradinaj.

Në fund të mesazhit të tij, Haradinaj ka shprehur mirënjohje të përjetshme për Enver Zymberin dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës. /Lajmi.net/