Kurti në Ditën Memoriale të Policisë: Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku, emra të skalitur në historinë e Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Ditën Memoriale të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, duke nderuar figurat e Adem Demaçit, Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut. Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, fillimisht ka bërë homazhe…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Ditën Memoriale të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, duke nderuar figurat e Adem Demaçit, Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut.
Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, fillimisht ka bërë homazhe te varri i Adem Demaçit, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
“Ditën e filluam me homazhe te varri i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës, Mandelës sonë dhe Mandelës evropiane, i cili kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë”, tha Kurti.
Më pas, Kurti ka marrë pjesë në homazhet pranë memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës, ku ka nderuar sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Erdhëm këtu, te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, për t’i nderuar ata, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe kolegë të tjerë nga ekzekutivi i Republikës dhe Policia e Kosovës”, deklaroi ai.
Kurti përmendi posaçërisht 15-vjetorin e vrasjes së heroit Enver Zymberi, duke thënë se ai u vra gjatë zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Kosovës.
“Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë, pa dallim”, tha Kurti.
Sipas tij, vrasja e Zymberit ishte kryer nga “dora kriminale e strukturave të Serbisë”.
“Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë”, u shpreh Kurti.
Ai foli edhe për kontributin e Zymberit në frymëzimin e pjesëtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës.
“Ai po zbatonte ligjin dhe, me rënien e tij, frymëzoi shumë policë të Kosovës, si ata që ishin në detyrë, ashtu edhe të tjerë që më pas iu bashkuan Policisë”, tha kryeministri në detyrë.
Kurti përmendi edhe sulmin ndaj policit Afrim Bunjaku dhe largimin e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës në vitin 2022, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të dëmtuar karakterin shumetnik të institucioneve të sigurisë.
“Përveç vrasjes së Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut, Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë edhe më 5 nëntor 2022, kur rreth 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën kolektivisht nga veriu i Ibrit me urdhër të Beogradit”, tha ai.
Megjithatë, Kurti tha se këto përpjekje nuk kanë arritur qëllimin e tyre.
“Qëllimi i tyre dështoi, pasi nuk u rrënua karakteri shumetnik i Policisë sonë dhe nuk u cenuan sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional”, përfundoi Kurti. /Lajmi.net/