Në dokumentet e mbrojtjes zbulohet: Hashim Thaçi hoqi dorë nga kjo kërkesë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka tërhequr kërkesën për rishqyrtimin e vendimit që ia ndalonte vizitat nga 10 persona, një detaj që është bërë publik në dokumentet e fundit të ekipit të tij mbrojtës në Dhomat e Specializuara. Lidhur me këtë zhvillim foli gazetarja Rina Mujku në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, duke bërë…

Lajme

25/07/2026 19:18

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka tërhequr kërkesën për rishqyrtimin e vendimit që ia ndalonte vizitat nga 10 persona, një detaj që është bërë publik në dokumentet e fundit të ekipit të tij mbrojtës në Dhomat e Specializuara.

Lidhur me këtë zhvillim foli gazetarja Rina Mujku në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, duke bërë të ditur se ky informacion është përfshirë në kundërpërgjigjen e mbrojtjes ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar për çështjen e dorëzanisë prej 50.000 eurosh të ofruar nga Thaçi për lirim me kusht, transmeton lajmi.net.

“Në fakt kjo është një ky është një detaj i cili është zbuluar tek përgjigjja e dytë apo kundërpërgjigja e ekipit të mbrojtës së Thaçit për Zyrën e Prokurorit të Specializuar për çështjen e dorëzonisë prej 50.000€ që e kishte ofruar Thaçi për lirim me kusht. Natyrisht se ka edhe detaje të tjera që i bën publike mbrojtja për herë të parë. Mirëpo ndër to bëhet e ditur se Thaçi ka hequr dorë nga kërkesa për ta rishikuar vendimin e gjyqtarit të vetëm, në këtë rast Kristopher Gosnell, për të mos i lejuar vizitat e Thaçit me 10 persona të ndaluar që ka qenë një vendim që është marrë tash një vit”, u shpreh ajo.

Sipas saj, vendimi i marrë në korrik të vitit 2025 fillimisht përfshinte ndalimin e vizitave nga 11 persona. Megjithatë, pasi njërit prej tyre iu hoq masa, Thaçi në janar të këtij viti vendosi të heqë dorë edhe nga kërkesa për rishikimin e vendimit të gjyqtarit të vetëm, Christopher Gosnell, sa i përket 10 personave të mbetur.

“Kjo sepse sipas mbrojtjes së Thaçit, ai nuk ka për qëllim që ta ketë ndonjë vizitë, pra ta realizojë ndonjë takim apo bisedë me asnjërin prej këtyre vizitorëve, dhe rrjedhimisht nuk ka për qëllim që ta pengojë në ndonjë formë procesin gjyqësor sikurse pretendon prokuroria, andaj është njëra prej arsyeve që ka kërkuar që Thaçi t’i lejohet lirimi me kusht sepse as në qendrën e paraburgimit nuk ka pasur qëllime që të kryej vizitë me këta 10 persona dhe njësoj do të vepronte edhe po të lihej i lirë me kusht jashtë”, ka thënë Mujku./lajmi.net/