Ulutas: SHBA mbetet kontribuuesi kyç në KFOR dhe janë plotësisht të përkushtuar të vazhdojnë kontributin e tyre për siguri të qëndrueshme në gjithë territorin e Kosovës

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka deklaruar se vendimi i NATO-s për optimizimin e pranisë së trupave në Kosovë është bazuar në vlerësimin se situata e sigurisë në vend është përmirësuar gjatë viteve të fundit, duke theksuar se çdo ndryshim do të bëhet me kujdes dhe nuk do të cenojë misionin e KFOR-it. Në një…

Lajme

25/07/2026 17:30

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka deklaruar se vendimi i NATO-s për optimizimin e pranisë së trupave në Kosovë është bazuar në vlerësimin se situata e sigurisë në vend është përmirësuar gjatë viteve të fundit, duke theksuar se çdo ndryshim do të bëhet me kujdes dhe nuk do të cenojë misionin e KFOR-it.

Në një intervistë për Klan Kosova, ai ka folur edhe për rolin e SHBA-së në mision, si dhe për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe FSK-në, transmeton lajmi.net.

“Njoftimi i fundit se NATO do të vazhdojë të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë bazohet në vlerësimin tonë kolektiv se situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet viteve të fundit. Ndërsa situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithsësisht e qëndrueshme, ne do të sigurojmë që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për detyrën”.

“Dua të bëj të qarta dy pika: 1. Të gjitha ndryshimet për numrin e KFOR-it do të jenë të kalibruara dhe graduale. Do të bazohen në kushtet në terren dhe do të jenë të kthyeshme nëse lidhet me çfarëdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë që mund të ndikojë në sigurinë lokale dhe stabilitetin rajonal”.

“Dhe 2, KFOR-i do të vazhdojë të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar në tërë territorin e Kosovës për të vazhduar kontributin e tij për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Ulutash.

Ai theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç në kuadër të misionit të KFOR-it, pavarësisht procesit të optimizimit të trupave.

“ShBA mbetet kontribuues kyç në KFOR dhe janë plotësisht të përkushtuar të vazhdojnë kontributin e tyre për siguri të qëndrueshme në gjithë territorin e Kosovës dhe stabilitet në mbarë Ballkanin Perëndimor. Unë dhe i gjithë personeli i KFOR-it nën komandën time mbetemi plotësisht të përkushtuar në misionin tonë”.

Duke folur për bashkëpunimin me institucionet e sigurisë në Kosovë, Ulutash vlerësoi koordinimin me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ndërsa tha se mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës mbetet në përputhje me mandatin aktual të saj.

“Pikë së pari, KFOR-i veçse ka një koordinim të gjatë dhe të ngushtë dhe efektiv me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in si reagues të sigurisë. Ky bashkëpunim është thelbësor për të vazhduar, siguruar dhe garantuar një mjedis që qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Sa i përket FSK-së, mbështetja jonë mbetet e fokusuar në mandatin e forcës që është origjinal për mbrojtje civile. Kjo realizohet kryesisht përmes një strukture të veçantë dhe plotësuese të udhëhequr nga NATO që quhet Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s që është i bashkëvendosur në selinë e KFOR-it në kampin Film City”.

“Ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë. Vetëm kohët e fundit, bashkë me EULEX-in, e kemi pasur një stërvitje të përbashkët të quajtur ‘Golden Sabre 2026’. Kjo stërvitje na mundësoi të testojmë të gjitha kapacitetet për menaxhimin e krizave, aftësive dhe procedurave në një sërë skenarësh të sigurisë, përfshirë edhe ato që lidhen me trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve plasëse dhe mjeteve të rrezikshme”, u shpreh Komandanti i KFOR-it./lajmi.net/