15 vjet nga rënia e Enver Zymberit, polici që u bë Hero i Kosovës

Sot shënohen 15 vjet nga aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), i cili do të mbetej një nga momentet më të rëndësishme në përpjekjet për shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit. Mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, pjesëtarët e ROSU-së u nisën drejt pikave kufitare në…

Lajme

25/07/2026 08:14

Sot shënohen 15 vjet nga aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), i cili do të mbetej një nga momentet më të rëndësishme në përpjekjet për shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri të vendit.

Mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, pjesëtarët e ROSU-së u nisën drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, me qëllim marrjen nën kontroll të tyre dhe vendosjen e rendit institucional në këto pika kufitare.

Por aksioni u përball me rezistencë nga strukturat ilegale serbe në veri. Gjatë përleshjeve, polici i Njësisë Speciale, Enver Zymberi, u qëllua për vdekje, duke rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e rendit dhe ligjit në territorin e Republikës së Kosovës.

Rënia e tij u kthye në simbol të përkushtimit dhe sakrificës për shtetin e Kosovës. Për trimërinë e treguar, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dekoroi Enver Zymberin me titullin “Hero i Kosovës”, me motivacionin:

“Për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Pesëmbëdhjetë vjet më pas, emri i Enver Zymberit vazhdon të kujtohet si i një polici që dha jetën në shërbim të vendit dhe u bë pjesë e historisë së Kosovës.