Haxhiu: Pres që takimet mes partive të vazhdojnë sa më parë, i takon VV-së të vendosë kandidatin për kryetar të Kuvendit

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu është deklaruar sot për zhvillimet e fundit në vend si dhe caktimin e 6 gushtit për seancën e konstituimit të Kuvendit. Po ashtu Haxhiu u deklarua edhe për mundësinë që ajo të jetë sërish e propozuara për Kryekuvendare. Haxhiu tha se emri i kandidatit do të bëhet i…

Lajme

24/07/2026 11:47

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu është deklaruar sot për zhvillimet e fundit në vend si dhe caktimin e 6 gushtit për seancën e konstituimit të Kuvendit.

Po ashtu Haxhiu u deklarua edhe për mundësinë që ajo të jetë sërish e propozuara për Kryekuvendare.

Haxhiu tha se emri i kandidatit do të bëhet i ditur më së voni në seancën konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për 6 gusht.

“I takon fituesit, i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Për aq sa i takon Lëvizjes Vetëvendosje, pra është në përgjegjësinë e tyre se kush do të jetë kandidatja apo kandidati për kryetar të Kuvendit dhe tash seanca konstituive është caktuar më 6 gusht. Aty do të dihet, nëse jo më herët, se kush do të jetë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Haxhiu.

“Kanë qenë vetëm dy takime siç e përmenda. LDK-ja përmes zotit Hamza ka dhënë qëndrimet sa i përket dobishmërisë së këtij procesi, ndërsa LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të problemeve të brendshme. Natyrisht, unë nuk merrem me problemet e brendshme të partive politike, janë të tyret, por duhet ta kemi parasysh që ne kemi afatet kushtetuese për të cilat duhet të veprojmë. Prandaj, edhe nuk e kam mirëpritur vendimin për pezullim të këtyre takimeve, sepse megjithatë, nga takimi i parë që kam pasur, duket që ka qenë pak më ndryshe sesa në takimet që kishim në proceset e kaluara në përpjekjen e asaj kohe për të pasur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.Prandaj, po theksoj se unë nuk e di se kur do të hiqet vendimi për pezullim të këtyre takimeve, por është e rëndësishme që kjo të ndodhë sa më parë. Sepse 7 gushti është dita e fundit që unë kam pasur në dispozicion për ta thirrur seancën konstituive, por pastaj ju e dini që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. E pastaj, pas konstituimit, i kemi 60 ditë për të zgjedhur presidentin. Prandaj nuk kemi kohë për të humbur dhe i gjithë fokusi duhet të jetë te takimet dhe tek përpjekja serioze. Jo vetëm takime që nuk prodhojnë asnjë rezultat, por takime serioze dhe konsiderim i ofertave që mund të propozohen në këtë rast nga kryeministri Kurti apo kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje”,deklaroi Haxhiu.

“Mua nuk më takon që të flas për pozicionimet e të tjerëve, si ushtruese e detyrës së presidentes, sidomos në këtë hapësirë në të cilën jam. Unë i mirëpres takimet, pres që ato të vazhdojnë sa më parë në mënyrë që të prodhojnë një marrëveshje për tejkalimin e situatës dhe për zgjedhjen e presidentit, sepse, siç e dini, na duhen 2/3 e deputetëve”, shtoi ajo.