Haxhiu: S’mund të mendoj që Këshilli Gjyqësorë nuk pranon sot dorëheqjet e gjyqtarëve serbë- do të ishte shumë e rrezikshme

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se, sipas të dhënave që ka në dispozicion, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë, si dhe stafi administrativ mbështetës, kanë përfituar mjete financiare nga Serbia edhe gjatë kohës sa kanë ushtruar funksione në institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Në një konferencë për media, Haxhiu…

Lajme

24/07/2026 11:33

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se, sipas të dhënave që ka në dispozicion, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë, si dhe stafi administrativ mbështetës, kanë përfituar mjete financiare nga Serbia edhe gjatë kohës sa kanë ushtruar funksione në institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se këto pagesa kanë vazhduar për vite me radhë.

“Tema e dytë që do ta trajtoj sot ka të bëjë me ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë. Më lejoni që të ndaj me ju disa informacione të rëndësishme për të cilat jam njoftuar së fundi dhe pikërisht kjo është arsyeja që po e adresoj edhe në këtë konferencë. Referuar të dhënave që kam në dispozicion, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë, sikurse edhe stafi mbështetës administrativ, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë financiarisht nga Serbia. Pjesa dërmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjetet financiare në forma të ndryshme nga Serbia që nga viti 2017 e deri më tani. Pra, edhe gjatë kohës sa ata kanë qenë prokurorë dhe gjyqtarë në institucionet e Republikës së Kosovës, pra janë paguar nga Serbia”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se, sipas saj, lojaliteti ndaj Serbisë është shpërblyer financiarisht dhe se disa ish-gjyqtarë e ish-prokurorë kanë marrë pjesë në aktivitete që kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.

“Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre ndaj të gjithë qytetarëve referuar ligjeve dhe interesave të Republikës së Kosovës. Ka shumë raste, disa prej tyre janë edhe publike, ku ish-gjyqtarët dhe prokurorët kanë marrë pjesë në takime të ndryshme në Serbi, si dhe në Kosovë, ku janë diskutuar plane dhe janë ndërmarrë veprime, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve për të kundërshtuar institucionet e Kosovës në përpjekje për zbatimin e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e vendit tonë, pra në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thotë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, ndërhyrjet nga Serbia dhe lidhjet e pretenduara të disa ish-zyrtarëve të drejtësisë kanë ndikuar në funksionimin e sistemit të drejtësisë në veri të vendit.

“Për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe lojalitetit të dëshmuar, në shumë raste administrimi i drejtësisë ka dështuar në të kaluarën në veri dhe ka dyshime të bazuara që ato veprime kanë qenë të qëllimshme dhe të instrukturuara nga qarqe të lidhura me krimin, por edhe me pushtetin në Serbi. Një pjesë e konsiderueshme e tyre ka dëshmi të kenë kryer edhe aktivitete të tjera të kundërligjshme dyshimta, duke u angazhuar me punë në shërbim të strukturave ilegale serbe që kanë operuar në Kosovë, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit tonë, duke rënë kështu ndesh me rendin juridik kushtetues të Republikës së Kosovës. Pagesat pra që shumica prej tyre kishin filluar t’i marrin që nga muaji tetor 2017 dëshmojnë se ata kanë cenuar integritetin e institucionit në të cilin kanë punuar edhe para dorëheqjes të tyre”, u shpreh ajo.

Haxhiu i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të veprojë në përputhje me praktikat e deritanishme lidhur me lirimin nga detyra të gjyqtarëve që kanë dhënë dorëheqje.

“Në linjë me përgjegjësitë e mia kushtetuese, unë sot thërras Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të ndjekë praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, por edhe vetë praktikën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Para pak kohësh, unë kam liruar nga detyra një gjyqtare shqiptare: ajo, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga sistemi për arsye personale, një javë pas, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte dorëzuar kërkesën për lirim nga detyra. Pra, për këtë menjëherë bëhet propozimi për lirim nga detyra tek Presidenti.Të jemi të qartë: ata ish-prokurorë për të cilët kam nënshkruar dekretet për lirim nga detyra nuk janë liruar nga detyra sepse janë nga komuniteti serb; janë liruar nga detyra për shkak të dorëheqjeve të tyre që i kanë bërë pas presionit të Serbisë dhe pas presionit të Vuçiçit”, tha ajo.Ajo tha gjithashtu se sistemi i drejtësisë nuk mund të funksionojë me gjyqtarë dhe prokurorë që, sipas saj, veprojnë nën ndikimin e një shteti tjetër.

“Imagjinoni, të nderuar gazetarë, në sistemin tonë të drejtësisë të kemi gjyqtarë dhe prokurorë që i binden urdhrave të një shteti tjetër — në këtë rast të Serbisë! Kush nga partnerët tanë ndërkombëtarë që sot bëjnë presion mbi këto këshilla, kush nga ata do të lejonte që në shtetet e tyre të kishte gjyqtarë dhe prokurorë që dirigjohen nga një shtet tjetër? Dhe kush nga këta partnerë ndërkombëtarë që neve na thërrasin gjithnjë për sundim të ligjit dhe për pavarësi të sistemit të drejtësisë, kush nga këta do të kërkonte nga gjyqtarët dhe prokurorët që janë anëtarë të këshillave të vendosnin diçka që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi?Pra, bazën ligjore për këtë e përmenda më herët. Sistemi ynë nuk mund të mbajë pozita formalisht të zëna nga njerëz që kanë ikur vetë prej atyre pozitave”, shtoi Haxhiu.

Ndër të tjerash, Haxhiu deklaroi se nuk mund ta mendoj që Këshilli Gjyqësorë i Kosovës mund të marrë vendim që të mos e pranojë dorëheqjen e gjyqtarëve serbë.

“Nuk dua të mendoj për një vendim tjetër sepse do të ishte e paprecedentë dhe shumë e rrezikshme.Nuk mund të vlejnë standardet e dyfishta në Kosovë, nuk mund të lejojmë shkeljen e Kushtetutës dhe ligjit para syve tanë.Po flasim për KGjK, ata janë gjyqtarë shumica prej tyre pra prej tyre presim që të respektohen ligjet që nxjerrim në Kuvend”,deklaroi Haxhiu, shkruan lajmi.net.

Ajo tha se uron që kjo gjë mos të ndodhë.

“Shumë uroj që një gjë e tillë të mos ndodhë”,shtoi ajo.

Haxhiu tha se këtë çështje e kishte diskutuar edhe me Arian Gashin nga KPK dhe Rrustem Thaqi nga KGjK.

“Kemi diskutuar se kam marrë informacione se këta gjyqtarë po mbajnë edhe takime në Serbi, me njerëz atje”./Lajmi.net/