Aksident fatal në Vragoli, humb jetën një këmbësor – lëndohen edhe dy persona

Një këmbësor ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli. Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, e cila ka bërë të ditur se përplasja ka ndodhur rreth orës…

Lajme

24/07/2026 10:50

Një këmbësor ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, e cila ka bërë të ditur se përplasja ka ndodhur rreth orës 03:00.

“Sot, më datën 24.07.2026, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku një veturë me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar ka goditur një person, këmbësor të gjinisë mashkullore”, deklaroi Mehmeti për Telegrafin.

Pas marrjes së informatës për aksidentin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konstatuar se këmbësori kishte ndërruar jetë.

“Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë ato mjekësore, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, tha ajo.

Përveç viktimës, nga aksidenti kanë pësuar lëndime edhe drejtuesi i veturës dhe një pasagjer që ndodhej në automjet.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime po ashtu kanë marrë i dyshuari, vozitësi i veturës, si dhe një pasagjer”, deklaroi zëdhënësja e Policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetuesit policorë kanë nisur punën për të përcaktuar rrethanat që çuan deri te aksidenti.

“Trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, ka bërë të ditur Mehmeti./lajmi.net/